Maqedoni
Propozimi i BDI-së për rajonizimin e vendit, Kasami: BDI-ja ta bënte këtë propozim atëherë kur ka qenë në Qeveri
23.07.2024 15:05
Temën për ndarjen e shtetit në rajone, sipas modelit të Irlandës së Veriut dhe Belgjikës, BDI-ja...

Temën për ndarjen e shtetit në rajone, sipas modelit të Irlandës së Veriut dhe Belgjikës, BDI-ja është dashur ta bëjë kur ka qenë pjesë e pushtetit, e jo tani që është në opozitë. Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, duke shtuar se BDI-ja nuk e ka vazhduar procesin e decentralizimit gjatë viteve sa ka qenë në Qeveri, ndërsa këto lëvizje që bën janë si pasojë e asaj se ata nuk janë mësuar dhe nuk e dinë si të sillen në opozitë.
“Është ironi në vete, BDI-ja 20 vite ishte në pushtet dhe lëre që nuk foli për rajonizim, por nuk bëri as hapin më të vogël për decentralizim. E dimë që me Marrëveshjen e Ohrit, atë për të cilin po krekoset vazhdimisht BDI-ja, ka qenë kompromisi që të ruhet koncepti unitar i shtetit, por të vazhdojë procesi i decentralizimit. BDI-ja nuk bëri lëvizjen më të vogël të thellimit të procesit të decentralizimit, kjo tregon se ata kanë humbur rrugën në oborr ashtu sikur ishin në Qeveri, ata mendonin si të fitojnë më shumë para për vete dhe familjarët e tyre, ndërsa sot ato para po i harxhojnë me ekspertë të shtrenjtë vetëm për të bërë piar. RMV-ja do të vazhdojë të ndërtohet si shtet i barabartë i të gjithë qytetarëve.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa", Bilall Kasami.
Ndërkohë, nga “Fronti Evropian” insistojnë se kjo çështje do të jetë e dobishme për shqiptarët.
FLORIJE KAMBERI
