Lika dorëhiqet nga “sekretar organizativ” i BDI-së, Labenishti dorëhiqet nga të gjitha funksionet

19.04.2015 21:12

Hazbi Lika ish kryetar i komunës së Tetovës ka dhënë dorëheqje nga posti i tij në BDI si sekretar organizativ, por jo edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim...

Ai ka thënë se mospërfillja e tij si sekretar organizativ në punët organizative partiake, e ka shtyrë që të heq dorë nga ky post. 

Edhe Zëvendësministri i mbrojtjes nga radhët e BDI-së Arben Llabenishti ka dhënë dorëheqje nga ky post,  nga anëtar i kryesisë së BDI-së, nga anëtar i këshillit të përgjithshëm të BDI-së dhe nga anëtar i sekretariatit kadrovik të BDI-së. Në arsyetimin e dorëheqjes ka drejtuar akuza ndaj strukturave të caktuara.

“Kam pas besim se si drejtues i këtij sekretariati do e kem më të lehtë për të ndihmuar që anëtarëve të partisë t’iu ofrohet mundësi për të realizuar të drejtat e veta mirëpo ky funksion u shndërrua në dekor dhe si i tillë edhe më tutje do keqpërdorej. Tani e tutje kontributin tim do e jap në Kryesinë Qendrore si anëtar pa funksion duke qenë një zë i fortë i anëtarëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Përveç se një akt dorëheqjeje nga funksioni i Sekretarit Organizativ, këtë do e vlerësoja edhe si një veprim protestues timin kundrejt drejtuesve të partisë si dhe një akt solidarizimi me anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim” – është shprehur, Hazbi Lika.

“Ne të gjithë periudhën e përpjekjeve tona brenda BDI-së për drejtësi, dinjitet dhe ndërtimin e një kursi politik progresist për realizimin e interesave të shqiptarëve, u përballëm me demagogë, arrivistë, gllabërues, servilë, tradhtar… Të gjithë këta së bashku, ashtu si kishin vepruar edhe më parë, u përpoqën të shkatërrojnë substancën e shëndoshë të BDI-së në Strugë dhe në vende të tjera. Qëllimi i tyre është vazhdimi i makuterisë, përbuzja dhe poshtërimi i vlerave tona kombëtare, veprime të cilat krijojnë teren për mos-implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit...Është e papranueshme dhe e dëmshme ta marrësh dhe të përpiqesh ta ruajsh pushtetin pa i realizuar përcaktimet programore, premtimet në fushatat zgjedhore, pa e implementuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila përbën dokumentin bazë për ndërtimin e shtetit multietnik”, shkruan Arben Llabenishti, zv. ministër i mbrojtjes.