Maqedoni
Kuvend, në seancë plenare zgjedhja e zëvendësministrave
23.07.2024 15:51
Trashëguam një vend të grabitur, por shumë shpejt do të ketë përgjegjësi për ata që e kanë shkelur ligjin...

Trashëguam një vend të grabitur, por shumë shpejt do të ketë përgjegjësi për ata që e kanë shkelur ligjin, sepse pa përgjegjësi nuk ka drejtësi, tha kryeministri Mickoski nga foltorja e Kuvendit, duke sqaruar propozimet për zëvendësministra. Ai për ta tha se janë njerëz ambiciozë që do të punojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e teknologjive të reja.
“Ekipi i ri do të sjellë ide të freskëta në Qeveri. Ata do të punojnë së bashku me ministrat që t’i realizojnë reformat, të cilat do të kontribuojnë për përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve. Një nga prioritetet tona kyçe është rritja e transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë. Me ekipin e ri të Qeverisë do të vazhdojmë në përkrahjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Këta persona do të kenë rol të madh në krijimin dhe implementimin e politikave të cilat do të inkurajojnë investime.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Në debatin parlamentar vlerësuan deputetët e Qeverisë, kritikuan opozitarët. Përskaj zgjedhjes së zëvendësministrave, debati më tepër u fokusua për punën e Qeverisë gjatë 30-ditëshit të parë, me akuza të ndërsjella për krim dhe korrupsion.
“Drin Ahmeti mori padi penale, paska mundur edhe ndryshe. Pra, ata që blejnë qendra tregtare, për çka ju këtu me kokë ulur i keni mbrojtur se secili në këtë shtet, për shkak të politikave të mira ekonomike të Qeverisë mund të bëhet milioner dhe të blejë qendra tregtare, tani fitoi padi penale.”, - thanë nga VMRO-DPMNE.
“Edhe ju, edhe kryeministri filluat të luani rolin e prokurorit. Për pjesën e kryeministrit do të flas. Asnjë kryeministër nuk ka pas fillim të mirë, kur ka marrë edhe rolin e prokurorit. Nuk na shqetësojnë aspak tendencat që ju mund të mendoni se mund të përmendi familjarë se është ngritë procedurë dhe atë as nuk ua quajmë për trimëri, as nuk e marrim për dobësi dhe frikë.”, - theksoi Blerim Bexheti nga “Fronti Evropian”.
“I gënjyet qytetarët se do t’u rriten pagat qytetarëve, se do të ketë paga më të larta, i gënjyet të punësuarit në arsim, punonjësit shëndetësor, i gënjyet të punësuarit në administratë, në MPB, në mbrojtje, që tani të dilni dhe të thoni se nuk do të rriten rrogat.”, - u shpreh Mile Talevski nga LSDM.
“Qeveritë e mëparshme kanë shkaktuar shumë dëme dhe defekte. Pra, nga kush janë bërë këto dëme dhe defekte? Nga qeveritë e mëparshme, flas në përgjithësi, jo vetëm për Qeverinë e kaluar. Qeveritë e mëparshme, duke shfrytëzuar pushtetin si një lloj krediti e kanë përdorur atë paturpësisht dhe në fakt nuk kanë bërë asnjë adut moral dhe politik mbi atë se çfarë kanë thënë, çfarë kanë premtuar, çfarë kanë projektuar dhe çfarë kanë realizuar.”, - theksoi Halil Snopçe nga VLEN.
Në seancë plenare ishte edhe shfuqizimi i drejtorëve ekonomikë të Klinikave. Ndërkohë në këtë seancë për zëvendëssekretar të përgjithshëm të Kuvendit u zgjodh Bojan Stojanoski. Ai deri më tani ishte anëtar i KShZ-së.
ERSAN PAJAZITI
