Maqedoni

Universiteti i Tetovës thellon bashkëpunimin me Arabinë Saudite

23.07.2024 16:44

Universiteti i Tetovës ka pritur në takim sot zëvendësministrin për çështje fetare dhe vakëf...

Universiteti i Tetovës ka pritur në takim sot zëvendësministrin për çështje fetare dhe vakëf i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Auad bin Sebti Al-Anazi dhe kryetarin e BFI-së në vendin tonë, reisin Shaqir Fetain. Rektori i UT-së tha se zëvendësministrin nga Mbretëria e Arabisë Saudite e ka njoftuar me punën e UT-së dhe qëllimet që ka UT-ja për të investuar në hapjen e fakulteteve të reja.
 
“Ne zëvendësministrin e njoftuam me perspektivat, vizionin, që ka UT-ja lidhur me zgjerimin e infrastrukturës sikur që është ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, kuptohet në vazhdimësi Fakultetit të Shkencave matematiko-natyrore, çështja e një biblioteke të digjitalizuar e të ndërkombëtarizuar e shumë qendra tjera, që do të lehtësonin  procesin edukativo-arsimor.”, - theksoi rektori i UT-së, Jusuf Zejneli. 
 
Zëvendësministri për çështje fetare dhe vakëfe i MAS-it, tha se kjo vizitë vjen pasi sipas tij, qeveria e Mbretërisë së Arabisë Saudite, mbreti dhe princi i kurorës janë të preokupuar që bashkëpunimi duhet të vazhdojë me të gjithë myslimanët ku do që ato janë në kultivimin e vlerave të shkencës e dijes.
 
“Pa dyshim që kjo vizitë e jona është një nga fushat që është e preokupuar qeveria e Mbretërisë së Arabisë Saudite, të Mbretit të saj dhe princit të kurorës dhe gjithashtu është që të vazhdojë bashkëpunimi me myslimanët kudo qofshin ato në vlerat e përbashkëta dhe kultivimin e shkencës dhe dijes. Dhe një mundësi për të përçuar mesazhin dhe vizionin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, në shpërndarje të vlerave dhe virtyteve të paqes së aleancës dhe bashkëjetesës.”, - theksoi zëvendësministrin për çështje fetare dhe vakëf i Mbretërisë së Arabisë Saudite, dr.Auad bin Sebti Al-Anazi.
 
Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, tha se UT-ja ka ngritur vetëdijen që ne t’i shërbejmë Zotit, atdheut e kombit.
 
“Me të drejtë, udhëheqësit e këtij universiteti thonë se UT-ja rrënjët i ka të ithtë, por frutat i ka të ëmbla dhe shumë të këndshme. Ky universitet ngriti vetëdijen tonë që të jemi në shërbim të Zotit, në shërbim të kombit, në shërbim të vatanit dhe në shërbim të vlerave njerëzore në përgjithësi.”, - u shpreh kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai. 
 
Në fund zëvendësministri për çështje fetare e vakëfe nga Mbretëria e Arabisë Saudite bashkë me kreun e BFI-së, vizituan xhamin e Pashës dhe u njoftuan me historikun mbi 550 vjet të saj.
 
VISAR SADIKI