Maqedoni
7 vatra aktive në vend, Angellov: Po përpiqemi t’i shuajmë në tërësi
24.07.2024 13:31
16 zjarre tërësisht të shuara, katër duke u vënë nën kontroll të pjesërishëm dhe shtatë të tjera janë aktive....

16 zjarre tërësisht të shuara, katër duke u vënë nën kontroll të pjesërishëm dhe shtatë të tjera janë aktive. Ky është bilanci për ditën e mërkurë nga zjarret të cilët kapluan vendin. Pas intervenimit të ekipeve të përbashkëta, autoritetet e vendit kanë arritur t’i shuajnë të gjitha vatrat aktive në malin Serta, mirëpo gjendja më e rënduar tani paraqitet në Makedonski Brod, respektivisht në parkun Kombëtar Jasen. Zjarre aktive ka edhe në Pllasnicë, Dollnen, Çashkë, si dhe në Gostivar. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë, ndërmarrjeve komunale dhe vullnetarëve me helikopterë dhe aeroplanë po intervenojnë vazhdimisht nga ajri dhe toka për t’i shuar të gjitha këto zjarre.
“Të gjitha resurset janë vendosur në dispozicion të plotë dhe janë në terren. Një pjesë e zjarreve aktive ndodhen në terren të papërshtatshëm dhe të paqasshëm, andaj edhe sikur të dërgonim një numër të madh të zjarrfikësve, të armatës apo të policisë në këto vende nuk do të kishte efekt, vetëm do të vihej në pikëpyetje siguria e tyre. Nën kontroll të plotë janë të gjitha zjarret në malin Serta. Gjendja më kritike sot paraqitet me zjarrin në Makedonski Brod në drejtim të parkut kombëtar Jasen.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Stojanço Angelov.
Autoritetet me apel: Të riorganizohet sistemi për menaxhim me kriza
Në seancën e komitetit për udhëheqje të sistemit me kriza u dakorduan se sistemit aktual për menaxhim me kriza i nevojitet riorganizim, respektivisht reformë rrënjësore, ku vendi do të ketë një strategji dhe qasje më të mirë për t’u ballafaquar me çfarëdo lloj krize.
“Morëm vendim me të cilën i rekomandojmë Qeverisë urgjentisht të sjellë vendim për riorganizimin e sistemit të tërësishëm, që nuk ekziston për menaxhimin me kriza. Fakt është se edhe QMK-ja dhe të gjitha institucionet tjera në kuadër të kapaciteteve të tyre po veprojnë, por nga ana tjetër është fakt se ato nuk janë të mjaftueshme dhe jo në kohë në përputhje me nevojat. Ne kemi trashëguar një sistem tërësisht të shkatërruar dhe nëse dëshirojmë ta përmirësojmë duhet rrënjësisht ta riorganizojmë.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
"E domosdoshme është reforma e thellë e sistemit për menaxhim me kriza. I gjithë sistemi është jofunksional. Që para zgjedhjeve e kemi diskutuar këtë temë. Atë që unë mund të shoh tani tek ministrat, anëtarët e Komitetit Drejtues, ekziston vullnet i fortë për ta shndërruar sistemin në një sistem shumë më funksional, i cili me të njëjtat resurse që kemi tani, do të jetë në gjendje të shuajë më shumë zjarre, më shpejt dhe më efikas.”, - u shpreh drejtori i QMK-së, Stojanço Angelov.
MPB: Dyshohen dy persona për zjarrvënie
Për Toshkovskin nuk ka dyshime se një pjesë e madhe e zjarreve janë shkaktuar si pasojë e zjarrvënies nga faktori njeri. MPB-ja veçmë ka të dyshuar dy persona.
“Jemi të fokusuar në gjetjen e të gjithë atyre për të cilët dyshojmë se kanë shkaktuar zjarret në vend, pasi që jemi të bindur se një pjesë e madhe e zjarreve që i kemi janë shkaktuar nga faktori njeri. Deri tani kemi dy të dyshuar dhe kemi ndërmarr masa adekuate.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Gjatë shuarjes së zjarreve të cilët kapluan vendin deri tani janë lënduar edhe disa zjarrfikës dhe pjesëtarë të tjerë të ekipeve të përbashkëta. Për fat të mirë ata tani ndodhen në gjendje të mirë. Autoritetet e vendit shpresojnë se reshjet e shiut të cilët janë paralajmëruar për mesin e kësaj jave do të ndihmojnë për t’i shuar të gjitha vatrat aktive në vend.
REXHEP QAMILI
