Maqedoni
Tymi i zjarreve është kancerogjen, parashihen sanksione të ashpra për piromanët
24.07.2024 13:53
Zjarret kanë ndotur ajrin, është rritur niveli i grimcave PM 2.5....

Zjarret kanë ndotur ajrin, është rritur niveli i grimcave PM 2.5. Tymi është i rrezikshëm për zjarrfikësit, mund të lërë pasoja të qëndrueshme në shëndetin e tyre, kjo varet nga gjendja e mëparshme shëndetësore, thonë mjekët. Por tymi është i rrezikshëm edhe për banorët e vendeve të djegura, me ç’rast pësojnë rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes.
“Kur ndizet mali atëherë lirohen jo vetëm grimca, por edhe gaz, që janë shumë të dëmshme për organizmin, siç janë monoksid dhe dioksid karboni. Ka edhe shumë materie të tjera organike dhe joorganike për të cilat më pak mendohet, por ato mund të jenë tejet kancerogjene.”, - deklaroi pulmologia, Marija Zdraveva.
Ambientalistët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike janë veç më përditshmëria jonë.
“Vitin e kaluar u përballëm me ngrohje globale prej 1 shkallë celsius, ndërsa shkencëtarët thonë se nëse tejkalohet në 1.5 gradë celsius, mund të presim përkeqësim dramatik të kushteve atmosferike dhe të kemi ndryshim komplet të eko sistemeve.”, - theksoi Elena Nikollovska nga Shoqata “Eko Vetëdija”.
Shumica e zjarreve shkaktohen nga faktorë njerëzor, edhe pse Kodi Penal parashikon dënime të rënda. Nëse shkaktohet dëm i madh, dënimi është katër vjet, por maksimumi mund të jetë deri në 20 vjet.
“Nëse shihen statistikat nga Enti Shtetëror i Statistikave kemi shumë pak sanksione penale për vepra penale kundër ambientit. Nëse analizohen edhe gjykimet për vepra të tilla penale do të shihet se numri më i madh prej tyre janë sanksione në të holla.”, - u shpreh Bojan Tërpevski nga Shoqata e Juristëve të rinj.
Nga viti 2015 deri në vitin 2020 janë ngritur 9 kallëzime penale për zjarrvënie, por nuk ka asnjë vendim gjyqësor.
FLUTURA LATIFI
