Maqedoni
Heqja e vizave për qytetarët me pasaporta serbe, Osmani: Ka ndikim negativ në sundimin e ligjit
24.07.2024 14:14
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit dhe integrimin e komunitetit serb”. Kështu ka thënë presidentja gjatë një takimi të rregullt që ka zhvilluar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhefri Hovenier.
“Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, presidentja shprehu shqetësimin për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën, si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.”, - thuhet mes tjerash në komunikatë.
Në takim është diskutuar edhe për pjesëmarrjen e Osmanit në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s, me ftesë të presidentit Xho Bajden dhe sekretarit të Shtetit, Antoni Blinken. Presidentja Osmani potencoi impaktin pozitiv që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në NATO për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjate.
GAZMEND KURTISHI
