Botë
Seri sulmesh izraelite në Gazë, 55 të vrarë dhe 110 të plagosur
24.07.2024 14:41
Forcat izraelite vranë 55 persona dhe plagosën 110 të tjerë në tre masakra kundër familjeve në 24 orët e fundit..

Forcat izraelite vranë 55 persona dhe plagosën 110 të tjerë në tre masakra kundër familjeve në 24 orët e fundit. Shumë njerëz ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk mund të arrijnë tek ata. Të plagosurit janë dërguar nëpër spitalet gjysmë funksionale, por numri i madh i pacientëve e pamundëson trajtimin e tyre.
"Ne i jemi përgjigjur katër incidenteve masive të viktimave në ditët e fundit. Viktimat erdhën në spital dhe shumica ishin fëmijë. Pa gjymtyrë, me dëmtime në fytyrë, pa sy, me djegie të thella, dua të them se jemi në pikën e thyerjes dhe nuk mund të vazhdojmë të menaxhojmë viktimat masive, është një tmerr i vërtetë. Rasti i fundit që pashë ishte një vajzë pas perdes. Të paktën ajo kishte fatin që kishte karrocë. Por ajo po vdiste vetëm. Nuk e di kush ishte familja e saj, pasi askush nuk erdhi ta vizitonte. Ndoshta ia kanë vrarë familjen.”, - theksoi mjeku në spitalin “Naser”, Javid Abdelmoneim.
Ushtria izraelite ka shënjestruar edhe tendën që përdorej nga gazetarët jashtë spitalit “Al Aksa” në Deir al-Balah. Raportohet për viktima dhe të plagosur. Gjithashtu janë bombarduar edhe automjetet e UNICEF-it dhe UNRVA-së
"Këto tenda janë të shënuara qartë si të destinuara për shtyp. Megjithatë, ushtria e shënjestroi drejtpërdrejt këtë tendë me raketë, duke shkatërruar plotësisht të gjithë çadrën. Zoti shpëtoi një numri të madh kolegësh gazetarë që ishin të pranishëm në këtë zonë dhe një numër i madh janë plagosur. Pjesa tjetër e gazetarëve mbijetoi, sepse po bënin punën jashtë tendës, por u vranë disa kalimtarë rasti që ndodheshin afër saj.”, - deklaroi korrespondenti i Al-Arabia, Osama Al-Kahlot.
“Dy automjete të UNICEF-it të shënuara qartë u goditën me municion të vërtetë, ndërsa prisnin në një pikë të caktuar mbajtjeje pranë pikës së kontrollit Vadi Gazë. Ata ishin në rrugë për të ribashkuar pesë fëmijë, duke përfshirë një foshnjë, me babanë e tyre. Ky është incidenti i dytë i të shtënave me makina të UNICEF-it në 12 javët e fundit. Dhe sigurisht, do të kujtoni se UNRVA pësoi një incident të ngjashëm.”, - theksoi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagimin ndërkombëtar mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gazë. Mbi nëntë muaj nga lufta izraelite, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, numri i të vrarëve ka arritur në 39, 150, ndërsa i të plagosurve në 90.560, që nga fillimi i luftës më 7 tetor.
FARIJE DAUTI BAKIJU
