Maqedoni
KShPK, 189 vendime pune në periudhë zgjedhore
24.07.2024 15:00
Para përfundimit të procesit zgjedhor të këtij viti, një zëvendësministër ka miratuar gjithsej 189 vendime pune...

Para përfundimit të procesit zgjedhor të këtij viti, një zëvendësministër ka miratuar gjithsej 189 vendime pune, nga të cilat 98 vendime kanë të bëjnë me vendosjen horizontale të punonjësve në ministri, 68 vendime për avancim që kanë implikime financiare në buxhetin e ministrisë dhe 23 vendime për vendosje që ulin pagat e punonjësve, ka konstatuar Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky veprim, sipas KShPK-së paraqet shkelje nga neni 34 i Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit dhe nenit 8 të Kodit Zgjedhor. Kryetarja e Komisionit, Tatjana Dimitrovska, tha se kanë siguruar të gjithë dokumentacionin nga institucionet kompetente për të vërtetuar gjendjen aktuale. Sqaroi se nga dita e marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në ditën e përfundimit të tyre nuk mund të fillohet procedura për punësim apo procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, përveç rasteve urgjente.
“Nga gjendja faktike e rastit, KShPK-ja konstatoi se pretendimet e paraqitura në ankesën e dorëzuar ishin të bazuara për shkak se veprimet e ndërmarra nga zëvendësministri në lidhje me vendimet për punë nuk ishin në përputhje me ndalesat e përcaktuara në nenin 34 paragrafi 1 alinea 3 nga Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe neni 8a, paragrafi 1 alinea 3 e Kodit Zgjedhor, gjegjësisht vendimet e punës janë marrë në një periudhë kur nuk kishte përfunduar ende zgjedhja e Qeverisë.”, - deklaroi kryetarja e KShPK-së, Tatjana Dimitrovska.
Ndërkohë, një kryetar komune prej vitesh ka përdorur taktikën e emërimit të drejtorëve të shkollave, ushtruesve detyre dhe ndaj tij do të ketë procedurë për përgjegjësi.
“Në mënyrë plotësuese kryetari i komunës ka emëruar ushtrues detyre për drejtor nga radhët e të punësuarve në shkollë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet për drejtor, në mesin e të cilëve edhe drejtori aktual ushtrues detyre në atë shkollë.”, - theksoi kryetarja e KShPK-së, Tatjana Dimitrovska.
Ndër rastet e KShPK-së nuk mungojnë as ankesat për veprimet e përmbaruesve, për kryetarin e Gjykatës Themelore, për personat me funksione të dyfishta, shpalljen publike të objektit shëndetësor gjatë zgjedhjeve dhe anulimin e tij dhe lëndë të tjera për të cilat komisioni u deklarua jokompetent dhe do t’ua përcjellë institucioneve të tjera. Disa lëndë u ndërprenë dhe të tjera u refuzuan.
FLORIJE KAMBERI
