Maqedoni

Akuzat e LSDM-së për pasuri të padeklaruar, Toshkovski: Po manipulohet opinioni

24.07.2024 15:20

Akuzave të LSDM-së se posedon pasuri që nuk e ka deklaruar në anketën e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski...

Akuzave të LSDM-së se posedon pasuri që nuk e ka deklaruar në anketën e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i është kundërpërgjigjur me kundërakuza. Sipas tij, kjo retorikë e LSDM-së bëhet me qëllim të mbrohen krimet e BDI-së në të kaluarën, duke përmendur se priste të sulmohej nga kundërshtarët politikë, pas kallëzimit penal ndaj nëntë personave, ndër të cilët edhe nipat e liderit të BDI-së, Ahmeti.
 
“Është fakt se jam sulmuar nga një parti opozitare. Sinqerisht prisja të sulmohesha nga një parti tjetër opozitare, sidomos pas asaj që u ndërmor si veprime procedurale të hënën nga MPB-ja, por më vjen keq që LSDM-ja del të jetë mbrojtësi i të gjitha krimeve që BDI-ja ka bërë në të kaluarën. Më vjen keq që dje u hodhën pupla dhe u manipulua publiku në mënyrë kaq të ulët dhe të pacipë. Pres sulme edhe më të dhunshme.”, - deklaroiministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. 
 
LSDM: Toshkovski mos t’i ikë pyetjeve tona
 
Këto deklarata nga LSDM-ja i kanë cilësuar si joserioze. Sipas socialdemokratëve, Toshkovski zgjodhi një rrugë të keqe vetëm për të mos iu përgjigjur pyetjeve kyçe në skandalin me pronën e dhuruar të Igor Janushevit në vlerë prej 325 mijë eurosh, në një objekt ku sipas LSDM-së, ai ka edhe pronë personale.
 
“Toshkovski duhet t'i përgjigjet opinionit se cili është roli i tij në tërë këtë rast. A po shfaqen Toshkovski dhe Janushevi si bashkëinvestitorë për ndërtimin e përbashkët të objektit në qendër të Shkupit? Si ndodh që privatizohet toka shtetërore, ndërrohen pronarët dhe pastaj ndërtohet një objekt që përfundon në pronën e Toshkovskit dhe Janushevit? Opinioni pret përgjigje.”, thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
Përndryshe nga LSDM-ja kanë akuzuar se Pançe Toshkovski dhe Igor Janushevi kanë banesa në qendër të Shkupit, me vlerë prej rreth 400 mijë euro, që nuk është deklaruar në fletën anketuese për posedim të pasurisë. 
 
ERSAN PAJAZITI