Maqedoni

Fondi për Sigurim Shëndetësor, zgjerimi i listës pozitive ende s’dihet

24.07.2024 16:26

Ende nuk ka epilog për ndryshimin e listës pozitive me barna bashkëkohore....

Ende nuk ka epilog për ndryshimin e listës pozitive me barna bashkëkohore. Fondi shëndetësor po analizon buxhetin për këtë çështje, e kjo do të kuptohet për 10 ditë nëse do të gjenden mjete për nëntë barna të reja, për shtypjen e gjakut, antidepresionin dhe demencën. Me rebalancin e buxhetit, Fondi për Sigurim Shëndetësor fitoi më shumë mjete, por llogaritjet bëhen sipas prioriteteve, pasi që çdo ditë marrin informacione për xhirollogari të bllokuara të spitaleve dhe buxhet të harxhuar të klinikave. Mjete për pagat në FSSh nuk janë paraparë as për tërë vitin.
 
“Çdo ditë lajmërohen nga klinikat, spitalet se janë të bllokuar, se fondet për financim janë shpenzuar, por megjithatë jam i bindur se me punë të menaxhuar mirë, do të gjejmë mënyrë që t’i mbulojmë të gjitha nevojat deri për në fund të vitit dhe shqyrtimi i ardhshëm i listës pozitive mos të jetë rregullim i thjeshtë, por të jetë e ndryshuar më thelbësisht.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
 
Barnat bashkëkohore efikase, pacientët detyrohen t’i blejnë privatisht edhe pse paguajnë sigurim shëndetësor. Ripërtëritjen e listës pozitive deri më tani e kanë paralajmëruar shumë ministra të dikasterit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nuk ka ndryshime për më shumë se dhjetë vite, ndërkaq në listën aktuale ekzistojnë barna të cilat shumë vende i kanë nxjerrë prej përdorimit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU