Botë

Kina, e gatshme për zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas

24.07.2024 16:54

Pekingu shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Kievin...

Pekingu shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Kievin. Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës është në vizitë në Kinë për herë të parë pas invazionit rus në vitin 2022. Autoritetet kineze deklaruan se janë gati të luajnë një rol konstruktiv në zgjidhjen e luftës.
 
"Kina gjithmonë ka qenë e vendosur për të promovuar një zgjidhje politike për krizën. Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve duhet të arrihet përmes kanaleve politike. Së fundmi, Rusia dhe Ukraina treguan gatishmërinë për të biseduar. Megjithëse kushtet dhe koha ende nuk janë të pjekura, ne mbështesim të gjitha përpjekjet që janë të përshtatshme për paqen dhe jemi gati të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv në ndërprerjen e zjarrit, përfundimin e luftërave dhe vazhdimin e bisedimeve paqësore.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning.
 
Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës deklaroi se janë të gatshëm për një dialog që do të sjellë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
 
"Ukraina gjithashtu dëshiron të ndjekë rrugën e paqes, thellimi dhe zhvillimi janë prioritetet strategjike që i ndajmë. Agresioni rus e shkatërroi paqen dhe e ngadalësoi zhvillimin. Prandaj është e nevojshme të vendoset fundi i luftës kundër vendit tonë dhe të shpejtohet forcimi i Ukrainës.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba.
 
Nga Kremlini thonë se janë të hapur për bisedime, por duhet të qartësohen detajet. Në front, luftimet e ashpra vazhdojnë.
 
"Dihet që ana ruse kurrë nuk ka refuzuar të bisedojë dhe gjithmonë ka treguar gatishmërinë e saj për procesin e bisedimeve, por këtu janë të rëndësishme detajet që nuk i dimë, kështu që ndoshta do të presim për disa qartësime shtesë.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
 
Kina nuk mori pjesë në konferencën paqësore për Ukrainën, e mbajtur në qershor në Zvicër, pasi, siç u njoftua atëherë nga Pekingu, mendon se të dyja palët duhet të marrin pjesë në bisedime.
 
ARDITA RAMADANI