Maqedoni
Qetësohet situata me zjarret në vend, janë shuar 18 zjarre, aktiv vetëm një në Makedonski Brod
25.07.2024 13:31
Dalëngadalë po stabilizohet situata me zjarret në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar pothuajse të gjitha zjarret..

Dalëngadalë po stabilizohet situata me zjarret në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar pothuajse të gjitha zjarret më të mëdha në vend dhe deri pasditen e së enjtes ka rezultuar të jetë aktiv vetëm një zjarr në afërsi të fshatit Tazhevë, mbi të cilin po punohet në lokalizimin e tij të tërësishëm. Autoritet e vendit informojnë se gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mëngjesin e së enjtes, ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, të policisë, armatës dhe punonjësit e ndërmarrjeve komunale, me ndihmën e dy helikopterëve kanë arritur t’i shuajnë edhe vatrat në Parkun Kombëtar “Jasen”. Nën kontroll të plotë janë edhe zjarret në komunën e Dollnenit, Shtip, Krivollak dhe Penush, Sellcë, Dragoevë, Dellçevë, Novo Sellë, Çashkë, Prillep, Sveti Nikollë, Kavadar, Pllasnicë, Makedonski Brod, Nagoriçan i Vjetër, Zellenikovë, Aerodrom dhe Krushevë.
Pas shuarjes së tërësishme të zjarreve në vend, tani autoritet e vendit do të kenë shumë punë për të përllogaritur se sa është dëmi material nga këto zjarre. Deri në këto momente nuk dihet saktë, por ajo që dihet është se nga flakët e mëdha më së shumti pësoi mali Serta, i cili deri në këto momente supozohet se për mbi 300 hektarë pyje malore është shkrumbuar vetëm në këtë mal.
“Dëmi që do të pësojë mali Serta është epokal, shumë i madh. Unë mendoj se do të nevojitet një shekull për të rikthyer çdo gjë që u shkrumbua në këtë mal. Kjo që na ndodhi është katastrofë e madhe natyrore. Në plot kuptimin e fjalës, mali Serta në shkoi në tërësi dhe kjo do të shkaktojë pësoja të mëdha sa i përket klimës në rrethinën e Shtipit. Për fat të keq ne do të duhet të ndërmarrim masa urgjente për pyllëzimin e pyllit.”, - deklaroi zëvendësdrejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kiril Mihajllov.
Autoritetet e komitetit për udhëheqje të sistemit me kriza, ditë më parë apeluan se vendi ynë ka nevojë për riorganizim urgjent në të gjithë sistemin e menaxhimit me kriza, ku njëherit do të miratohet strategji e qartë për reagim dhe veprim të shpejt ndaj çfarëdo lloj krize. Autoritetet e vendit dyshojnë se një pjesë e madhe e zjarreve janë shkaktuar si pasojë e zjarrvenies apo pakujdesi nga faktori njeri.
REXHEP QAMILI
