Maqedoni
Zgjerimi i listës pozitive të barnave, Taravari: Ka të holla, presim bordin drejtues të FSh-së
25.07.2024 14:04
Pas pesëmbëdhjetë vitesh do të zgjerohet lista pozitive e ilaçeve me nëntë barna...

Pas pesëmbëdhjetë vitesh do të zgjerohet lista pozitive e ilaçeve me nëntë barna dhe kjo nuk do të shkaktojë implikim të madh financiar. Këtë e konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili bëri të ditur se ka mjete në dispozicion për zgjerimin e listës së ilaçeve, por pritet të zgjidhet Këshilli i ri drejtues i Fondit për sigurim shëndetësor.
“Ka para, nuk ka asnjë problem, presim që të zgjidhet Bordi i ri Drejtues, d.m.th. bordi ende nuk është kompletuar. Përndryshe nga ana jonë është dërguar para 2 jave, me pajtim të fondit. Në seancën e parë të Bordit Drejtues të Fondit, listën pozitive do ta promovojmë bashkë me drejtorin e Fondit për Shëndetësi. Nuk janë kontestuese 9 ilaçet që janë vendosur për 9 diagnoza të reja. Absolutisht jo, janë pranuar nuk ka implikacion të madh financiar.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
647 specializantë do të punësohen në dy faza, deri në fund të vitit pritet punësim i infermierëve
Taravari u shpreh i kënaqur që së bashku me Qeverinë u gjet një zgjidhje për të punësuar 647 specializantë. Siç sqaroi ai, punësimi do të jetë në dy faza, në mënyrë që deri në fund të vitit të punësohen 300 specialistë, ndërsa pjesa tjetër në vitin e ardhshëm 2025. Deri në fund sipas tij, pritet punësimi edhe i kuadrit mjekësor me shkollë të mesme.
“Angazhimi im i ardhshëm do të jetë që personeli mjekësor me shkollë të mesme, që një kohë të gjatë punojnë dhe nuk kanë vendim për punë deri në fund të vitit edhe ata të jenë të punësuar të rregullt. Nuk do të pritet buxheti i ri, do të përpiqemi që në këtë buxhet ta menaxhojmë, megjithatë më duhet kohë që të sinkronizohem me ministrat e tjerë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Sa i përket pretendimit për foshnjën e dhunuar gjatë marrjes së gjakut ne Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, Taravari shton se sipas ekipit të kujdestarisë gabimi nuk ka qenë i qëllimshëm, por do të vazhdojë të dëgjojë të dyja palët që të merret vendim i drejtë. Taravari këto komente i bëri gjatë vizitës në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, ku është rinovuar tërësisht ambulanca neurologjike që trajton pacientët me sëmundje neurologjike nga të porsalindurit deri tek adoleshentët.
FLUTURA LATIFI
