Maqedoni
PThP: Përfundojnë hetimet ndaj Palevskit
25.07.2024 14:20
Prokuroria Themelore Publike ka përfunduar hetimet ndaj të dyshuarit të parë Lupço Palevski...

Prokuroria Themelore Publike ka përfunduar hetimet ndaj të dyshuarit të parë Lupço Palevski, për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezovski. Prokuroria do të kërkojë që Palevski të gjykohet së bashku me katër të akuzuarit tjerë. Njoftojnë se në rrjedhë e sipër është afati ligjor i mbrojtjes për të shqyrtuar provat.
“Pas skadimit të këtij afati dhe paraqitjes së akuzës, prokurori publik do të propozojë bashkimin e procedurës gjyqësore ndaj gjithsej pesë të pandehurve për këtë ngjarje penalo-juridike. Procedura hetimore ka përfunduar edhe për një person tjetër që dyshohet se ka ndihmuar pas kryerjes së krimit. Procedimi ndaj tij do të zhvillohet veçmas.”, thonë nga Prokuroria.
Avokati i Palevskit, Vitanovski, për TVM thekson se për herë të parë do t’i mundësohet t’i shqyrtojë provat e Prokurorisë. Ndërsa pozitivisht e pret vendimin e Prokurorisë që procedura gjyqësore të zhvillohet njëkohësisht për të gjithë të akuzuarit.
“Bashkimi i procedurave mund të sjellë në atë fazë që të akuzuar të caktuar të pranojnë fajin dhe të mbarojë kjo. Kjo është mirë dhe e prisnim. Vlerësoj se është mirë që kjo procedurë të fillojë së bashku për të gjithë të akuzuarit.”, - theksoi avokati i Lupço Palevskit, Marjan Vitanovski.
Palevski ishte marrë në pyetje në Prokurorinë Themelore Publike më 5 qershor, në të cilën, siç njoftoi avokati i tij, ka mohuar çdo lidhje me dy vrasjet e tmerrshme dhe tregoi provat në mbrojtje të tij që do t'i dorëzonte shtesë. Për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit të akuzuar janë edhe Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishov. Në mesin e të pandehurve është edhe babai i të vrarës Vanja Gjorçevska, Aleksandar Gjorçevski, i cili akuzohet se ka ndihmuar në veprën e kidnapimit. Pasi kaloi disa muaj në burgun “Shkupi” në lagjen Shuto Orizare, ai tashmë është në arrest shtëpiak pasi Gjykata Supreme ka pranuar ankesën e tij.
FLORIJE KAMBERI
