Maqedoni
Marrëdhëniet ekonomike Shkup – Prishtinë, avancimi i bashkëpunimit rajonal, prioritet
25.07.2024 15:15
Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, krijimi i masave dhe politikave konkrete..

Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, krijimi i masave dhe politikave konkrete për të rritur konkurrueshmërinë e kompanive vendore jo vetëm në tregun maqedonas, por edhe në rajon, ishin tema të takimit mes ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, me ministren e ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Siç njoftojnë nga kabineti i ministrit të Ekonomisë, në takim Durmishi ka theksuar se avancimi i bashkëpunimit rajonal është prioritet kryesor i Qeverisë, me qëllimin kryesor përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.
“Është me rëndësi të jashtëzakonshme për vendet e Ballkanit Perëndimor të krijohen masa të përbashkëta me qëllim të përmirësimit të klimës afariste dhe konkurrueshmërisë së tregut të përbashkët evropian.”, - thuhet në njoftimin e ministrisë së Ekonomisë.
Në takimin me ministren Hajdari, ministri Durmishi vuri në dukje se përmes “Procesit të Berlinit”, në të cilin morën pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor, janë ndërmarrë hapa seriozë për të nxitur dialogun midis qeverive, por edhe mes përfaqësuesve të komunitetit të biznesit. Duke marrë parasysh se Kosova është partner i rëndësishëm tregtar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të dy ministrat konstatuan se bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dy vende fqinje dhe mike, ka potencial serioz për t'u thelluar edhe më shumë.
BELINDA KOKA ADEMI
