Maqedoni

Kazinotë, VLEN-i përshëndet heqjen e licencave

25.07.2024 15:30

VLEN-i e përshëndet propozimin e Ministrisë së Financave dhe vendimin e Qeverisë...

VLEN-i e përshëndet propozimin e Ministrisë së Financave dhe vendimin e Qeverisë për të hequr dy licencat e para për kazinotë që nuk e kanë respektuar ligjin. Sipas partnerit shqiptar në Qeveri, institucionet po tregojnë gatishmëri për të vepruar në mënyrë efikase dhe për të sjellë drejtësi, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare apo politike. 
 
“Njëkohësisht, kërkesa për interpretim autentik që kemi dorëzuar në Kuvend, si pjesë e Planit të VLEN-i për t’u marrë me pasojat e dëmshme të lojërave të fatit, do të mundësojë mbylljen e kazinove online dhe do të krijojë parakushte ligjore për përgjegjësinë e të gjithë ish-zyrtarëve që me vendime të papërgjegjshme sollën lojërat e fatit në çdo shtëpi.”, - thuhet në kumtesën e VLEN-it.
 
Sipas partnerit shqiptar në ekzekutiv, Qeveria e re ka filluar procesin e sigurimit të sundimit të ligjit, sigurisë ligjore dhe barazisë para ligjit, dhe këtë askush më nuk mund ta ndalojë.
 
“Kallëzimet penale kundër Drin dhe Besian Ahmeti janë dëshmi se nuk ka më të paprekshëm vetëm sepse janë të afërm të funksionarëve të lartë partiakë.” – thekson VLEN-i.