Maqedoni
Komisioni për financa dhe buxhet, nis debati mbi ribalancin e buxhetit
25.07.2024 15:40
Në Komisionin Amë për Financa dhe Buxhet ka nisur debati për propozim-ribalancin e buxhetit për vitin 2024...

Në Komisionin Amë për Financa dhe Buxhet ka nisur debati për propozim-ribalancin e buxhetit për vitin 2024. Në ekspozenë, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, theksoi se ribalanci është zgjidhja më optimale, duke marrë parasysh gjendjen aktuale, resurset në dispozicion, hapësirën e vogël për manovrim dhe gjendjen makroekonomike.
“Me ribalancin sigurojmë mjete për të gjitha ato dhe gjithçka që ishte paraparë me ligj, por nuk kishte mjete të planifikuara, domethënë mjete për të punësuarit, pensionistët, studentët, kompanitë, si dhe për pagesën e detyrimeve në bazë të kamatës, kredisë etj. Jemi munduar dhe kemi bërë kursime maksimale nga çdo gjë që nuk ka pasur dinamikë të realizimit dhe nga mjetet e pashfrytëzuara që në fakt janë shpenzime jo esenciale dhe kemi arritur të gjejmë kursime prej 20 miliardë denarë dhe t'i përdorim aty ku nevojiten.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
Nga opozita nuk pajtohen se kanë lënë arkën shtetërore të zbrazët. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, tha se të hyrat e përgjithshme në gjashtë muajt e parë të vitit kanë pasur rritje për 9.9% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023.
“Në vend të konsolidimit fiskal kemi krejtësisht destruktivitet fiskal. Me thyerjen e rregullit buxhetor për deficitin dhe rritjen e tij nga 3.4% në 4.9% nga Produkti i Brendshëm Bruto dhe rritja e borxhit publik nga 58% në 68% na paralajmërohet një ekonomi Frankenshtajni, në të cilën politika ekonomike të ndryshme dhe shpesh kontradiktore, përmes ribalancit të buxhetit bashkohen në një tërësi jofunksionale dhe shkatërruese.”, - theksoi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se qeveria e kaluar shumë mjete të cilat i ka pasur me detyrim ligjor që t’i sigurojë, qëllimisht nuk i ka siguruar në buxhet.
“Janë siguruar 1 miliard denarë për ndihmën financiare nëpër zona, të cilën qeveria e kaluar e ka ditur, por nuk e ka siguruar në buxhet. 322 milionë denarë për KShZ-në të cilat qeveria e kaluar nuk i ka planifikuar për pagesën e mediave në përputhje me Kodin Zgjedhor, ndërsa për të cilën ka detyrim ligjor.”, - u shpreh Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Me rishikimin e buxhetit, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 318.2 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 miliardë e 22 milionë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 362.8 miliardë denarë, përkatësisht në anën e shpenzimeve. Rritje prej 19.2 miliardë denarë. Rritja e PBB-së parashikohet në 2.1 për qind, inflacioni parashikohet në nivelin 3.5 për qind, kurse deficiti buxhetor 4.9%.
ERSAN PAJAZITI
