Maqedoni
Raporti i KE-së për sundimin e së drejtës, Gjyqësori kryesisht i varur, ndërsa korrupsioni, i lartë
25.07.2024 16:06
Pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për t'u mbrojtur nga ndikimet e jashtme mbeten shqetësuese...

Pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për t'u mbrojtur nga ndikimet e jashtme mbeten shqetësuese për vendin tonë, konstaton Raporti i Komisionit Evropian, lidhur me gjendjen e sundimit të ligjit në vend. Sipas të dhënave të Brukselit, për një anketë të OSBE-së, një e treta e gjyqtarëve kanë deklaruar se janë përballur me tentativa për ndikim të jashtëm ose nga pushteti ekzekutiv ose nga përfaqësues të partive politike. E njëjta situatë është edhe me prokurorët publik.
“Maqedonia e Veriut ka pësuar një valë reformash gjyqësore dhe ka miratuar strategji të re që synon ta përmirësojë pavarësinë, efikasitetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit. Megjithatë, pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për t’u mbrojtur nga ndikimet mbetet një shqetësim serioz. Niveli i perceptuar i pavarësisë është shumë i ulët. Shqetësimet mbeten edhe në lidhje me funksionimin dhe pavarësinë e Këshillit Gjyqësor, ndërkohë që janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim.”, - thuhet në raportin e KE-së.
I nivelit sfidues mbetet edhe korrupsioni. Ekzekutivi i BE-së konsideron se ndryshimi i fundit në Kodin Penal krijoi pamundësinë për ta luftuar këtë dukuri.
“Rreziku i lartë i korrupsionit mbetet i përhapur në shumë fusha. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.”, – evidentohet në raportin e KE-së.
Analistët: T’i marrim si udhërrëfyes
Raporti ka prekur edhe idenë e Qeverisë për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor. Vlerësojnë se një hap i tillë fundos pavarësinë e gjyqësorit. Këtë mendim e ndajnë edhe analistët politik. Sugjerojnë aktorët politik që t’i marrin si udhërrëfyes konstatimet e KE-së, në mënyrë që të dilet nga kriza e jurisprudencës.
“Konstatimet e Komisionit Evropian në raportin e fundit për sundim të së drejtës dhe gjyqësorit për Maqedoninë e Veriut, duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për partitë politike, për reformat që implementohen. Projekte kontroverse, siç është shpërbërja e tërësishme e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit për Prokuror Publik priten me skepticizëm në Bruksel, sepse ekziston frika se ndryshimet e tilla mund të sjellin ndikim politik shtesë gjatë zgjedhjes së anëtarëve të rinj të këtyre dy trupave gjyqësor. Po ashtu edhe në mosimplementimin e sistemit AKMIS, ndjekja e rasteve gjyqësore, pra projekte të përfshira në strategjinë për përmirësimin e reformave në gjyqësor.”, - u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
Mes tjerash raporti ka analizuar edhe punën e mediave. Nënvizon sfidat me të cilat përballet servisi publik. Në fund ka notuar edhe kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve. Notë pozitive ka për Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, ndërkaq theksohet përforcimi mëtejshëm i pavarësisë financiare së këtij organi.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
