Maqedoni

Ekonomi, OEM-i pret bashkëpunim më të madh me Qeverinë

25.07.2024 16:43

Ekonomia në kolaps, të fundit në rajon, nevojitet më shumë transparencë dhe luftë kundër korrupsionit...

Ekonomia në kolaps, të fundit në rajon, nevojitet më shumë transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, ishin fjalët e kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski, drejtuar kryeministrit, Hristijan Mickoski. Azeski thotë se është rënë dakord që të ketë një marrëveshje bashkëpunimi me Qeverinë, sa i përket dhe shpërndarjes së mjeteve monetare. 
 
“Deri tani kemi treguar se qëndrojmë në ato premtime që i kemi bërë. Është arritur marrëveshje mes odës dhe Qeverisë që kanë të bëjnë me implementimin e gjërave që deri tani i kemi dialoguar. Besojmë se tregu ynë do të mund të jetë konkurrues në tregun evropian. Bëhet fjalë për një projekt kompleks për rritje të bashkëpunimit, sa i përket shpërndarjes së mjeteve qeveritare për kompanitë që do të tregojnë sukses në inovacion dhe produktivitet.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.
 
Kryeministri Mickoski njofton se është dhënë dritë jeshile që të fillohet realizimi i huamarrjes nga shteti hungarez. Po rishikohet dhe mundësia që shteti të marrë edhe 100 milionë euro hua. 
 
“Nuk janë vetëm këto 250 milionë euro, por kemi në disponim dhe një linjë kreditore prej 100 milion eurove dhe si Qeveri po shikojmë mundësinë që Qeveria të paguajë interesin, ndërsa biznesi të paguajë vetëm shumën kryesore që bëhet fjalë për 350 milionë euro. Këto mjete do të krijojnë rritje të BPV-së dhe vende të reja të punës.”, - theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
 
Oda Ekonomike e Maqedonisë i ndau kryeministrit Hristijan Mickoski çmimin për ndërtimin e partneritetit dhe veprimin e përbashkët për një Maqedoni të begatë, me rastin e 102 vjetorit të ekzistencës së saj.
 
GAZMEND REXHEPI