Botë

Fjalimi i Netanjahut në Kongres: Nëse dëshiron Izraeli, lufta mund të përfundojë

25.07.2024 17:00

Kushdo që sulmon Izraelin, do të paguajë çmim shumë të lartë...

Kushdo që sulmon Izraelin, do të paguajë çmim shumë të lartë, tha me tone të ashpra dhe kërcënuese kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, gjatë fjalimit në Kongresin Amerikan. Ai gjithashtu mbrojti veprimet e Izraelit gjatë luftës dhe kundërshtoi akuzat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës. Netanjahu u shpreh këmbëngulës për të vazhduar luftën në Gazë derisa të sjellin pengjet në shtëpi.
 
"Ata që do ta sulmojnë Izraelin do të paguajnë çmim shumë të lartë. Ushtria e ndihmës së shpejtë amerikane bashkë më Izraelin, mundet në mënyrë dramatike ta përshpejtojë përfundimin e luftës në Gazë dhe të ndërpresë përhapjen e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme. Izraeli do të luftojë derisa të shkatërrojmë aftësitë ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij në Gazë dhe të sjellim të gjithë pengjet tanë në shtëpi.”, - deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Fjalimin e Netanjahut e bojkotuan një numër i madh demokratësh. Mijëra njerëz protestuan përpara Shtëpisë së Bardhë ku kishte ardhur për vizitë Netanjahu dhe në shumë qytete të tjera në ShBA, për të dënuar luftën në Gazë dhe krizën e shkaktuar humanitare. Në Uashington janë tërhequr flamujt amerikan nga ndërtesat shtetërore dhe në vend të tyre në shtizë janë vendosur flamuj palestinez. Janë arrestuar dhjetëra protestues.
 
“Kjo është turp, kjo është shuplakë jo vetëm për komunitetin arabo-amerikan në ShBA, por për të gjithë njerëzit me ndërgjegje. Nuk duhet që parat tona t’i japim në një qeveri tjetër të jashtme, që të bombardojnë dhe vrasë njerëz të pafajshëm.”, - tha një protestuese.
 
“Netanjahu është kriminel lufte dhe duhet të futet në burg për krimet e kryera. Ai mund të kishte vendosur paqe qysh në fillim të konfliktit, por ai ka dëshirë që lufta të vazhdojë. Netanjahu dëshiron të vazhdojë spastrimin etnik në Palestinë.”, - u shpreh një protestues.
 
Pavarësisht protestave mbarëpopullore, ShBA-ja shprehet e vendosur që ta mbështesë Izraelin deri në fund dhe arsyeton si “luftë ekzistenciale” frontet e hapura të Izraelit me shtetet në Lindjen e Mesme.
 
“Izraeli është në një luftë ekzistenciale për vetë ekzistencën e tij, kjo luftë shtrihet në çdo kufi të saj. Populli izraelit po punon për të mposhtur Hamasin, pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit. Ata duhet të largojnë Hezbollahun në veri, duhet t'i përgjigjen sulmeve të Huthive në Tel Aviv, dhe ata i shmangën një sulmi historik të drejtpërdrejtë nga vetë Irani, një regjim që është aleat me Rusinë dhe Kinën.”, - theksoi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Majk Xhonson.
 
Përderisa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, po fliste në Kongresin Amerikan, zona të ndryshme në Rripin e Gazës u bombarduan nga avionët luftarakë dhe artilerisë së ushtrisë izraelite. Dëshmitarët okularë thanë se avionët luftarakë izraelitë lëshuan bomba mbi një grup palestinezësh të mbledhur në qytetin Beit Lahia. Shumica e tyre u vranë. Numri i të vrarëve palestinez që nga fillimi i luftës ka arritur në gati 40 mijë, shumica e tyre janë gra dhe fëmijë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU