Maqedoni
Situata me zjarret në RMV, 20 të shuara, 2 aktive në Jasen dhe Tazhevë
26.07.2024 14:00
Gjithsej pesë ekipe të përbashkëta të zjarrfikësve kanë intervenuar mbrëmë për të shuar zjarrin...

Gjithsej pesë ekipe të përbashkëta të zjarrfikësve kanë intervenuar mbrëmë për të shuar zjarrin, i cili shpërtheu përgjatë binareve të hekurudhës në fshatin Agaqoj në afërsi të Bërzak Rramali. Bar i thatë dhe shkurre ishin ato të cilët fillimisht morën flakë, të cilat shumë shpejtë u përhapen në zonën përreth. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, ekipet kanë arritur të shuajnë zjarrin në tërësi, ndërsa sot në këtë vend është vendosur ekipi kujdestar, i cili mbikëqyr situatën në terren. Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 22 vatra aktive, prej të cilave 20 janë shuar, ndërsa mbi 2 të fundit në Parkun Kombëtar Jasen dhe Tazhevë, janë lokalizuar dhe vënë nën kontroll dhe po punohet në shuarjen e tyre të tërësishme.
Mickoski: Do të riorganizohet sistemi për menaxhim
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi riorganizim të tërësishëm të sistemit për menaxhim me kriza dhe kushte më të mira për punë për zjarrfikësit.
“Sot së bashku me zëvendëskryeministrin Ljupço Dimovski, me deputetët dhe kryetarët e komunave dhe drejtorin e QMK-së jemi këtu për t’ua shtrënguar dorën njerëzve të guximshëm, të cilët “luftuan” me stuhitë e mëdha me zjarret në vend, duke i vendosur në rrezik jetën e tyre. Mund të them se gjatë periudhës së ardhshme, Qeveria do të bëjë reforma të mëdha strukturore në sektorin e menaxhimit me kriza dhe njëherit kemi filluar procedurë për miratimin e ligjit për zjarrfikës me të cilën do të përmirësohen kushtet për punë për këta njerëz.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ndryshe në sharjen e zjarreve, vendi ynë është ndihmuar nga disa shtete të rajonit dhe BE-ja ku ata dërguan aeroplanë dhe helikopterë të mëdha për të hedhur ujë mbi këto zjarre. Autoritet e vendit dyshojnë se një pjesë e madhe e zjarreve janë shkaktuar si pasojë e zjarrvënies apo pakujdesi nga faktori njeri dhe MPB-ja veçmë ka disa të dyshuar për këtë rast.
REXHEP QAMILI
