Maqedoni

Zhvillimi i Çarshisë së Shkupit, Ministria e Ekonomisë ndan subvencione për zejtarët

26.07.2024 14:44

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë shqiptar, Izet Mexhitin...

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë shqiptar, Izet Mexhitin, dhe ministrin për Mjedisin Jetësor, ministrin e Punëve të Jashtme, kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe deputetin Bekim Sali, sot kanë vizituar zejtarët e Çarshisë. Zejtaria është segment i rëndësishëm i ekonomisë sonë, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Qeveria në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të vazhdueshme përmes masave dhe aktiviteteve që janë pjesë e politikave për zhvillim dhe promovimin e zejtarisë në shtet, tha mes tjerash Durmishi.
 
“Dëshiroj t’i informoj të gjithë zejtarët dhe shoqatat e zejtarëve që Ministria e Ekonomisë dhe Punës javën e kaluar shpalli thirrjen publike për mbështetje të zejtarisë. Kjo masë ka për qëllim të subvencionoj zejtarët dhe ushtruesit e veprimtarisë zejtare përmes bashkëfinancimit të 40% të shpenzimeve të dëshmuara, por jo më shumë se 200.000 denarë për aplikant të bëra për blerjen e makinave ose veglave të reja dhe dizajnimin e produktit të ri. Për këtë masë në përputhje me programin për zhvillimin e sipërmarësisë dhe konkurrencës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë parashikuar mjete me vlerë të përgjithshme prej 6 milionë e 500.000 denarë nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ndërsa do të subvencionohen shpenzimet e dëshmuara  që zejtarët i kanë bërë në vitin 2023 / 2024.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. 
 
Zejtarët nga ana tjetër presin lehtësimin e procedurave administrative dhe ndihmë gjatë plotësimit të aplikimeve për subvencione. 
 
“Po si çdo ndihmë është e mirëseardhur për zejtarët. Por, unë mendoj se Çarshia e ka një problem që një dokument për ta nxjerr e ka problem. Duhet  t’ia dërgojmë gati e kjo është një punë e madhe që e kuptojnë tash të rinjtë, sepse të rinjtë janë ndryshe, ne jemi pleq, po besoj që tash të rinjtë do të shkojnë e do të aplikojnë dhe shpresojmë t’i marrin ato subvencione që u takojnë.”, - tha një zejtar.
 
Thirrjet publike janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa zejtarët dhe shoqatat e zejtarëve mund të aplikojnë më së voni deri më 1 tetor të vitit 2024.
 
ARDITA RAMADANI