Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Mexhiti: Kërkojmë formë më të mirë

26.07.2024 15:00

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka përsëritur qëndrimin e koalicionit VLEN...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka përsëritur qëndrimin e koalicionit VLEN se shumica aktuale është shumë e interesuar që ndryshimet kushtetuese të ndodhin një ditë e më parë, por se koalicioni VLEN është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët strategjik që të gjendet formula e nevojshme në bazë të së cilës do të kalonin këto ndryshime kushtetuese.
 
“Me vet faktin që kjo shumicë për momentin ka 78 deputetë dhe është një ndër qeveritë më stabile në historinë e RMV-së, me siguri që këtu ka lëvizje edhe për deputetë tjerë dhe së shpejti do të ketë mbi 80 deputetë, pra do të jetë hera e parë kur një qeveri do të ketë 2/3 e shumicës në Parlament. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, me partnerët tanë strategjik jemi në komunikim të përditshëm dhe deputetët shqiptarë nuk kanë asnjë dilemë rreth saj dhe sikur edhe nesër të na ftojnë, ne jemi të gatshëm për ndryshimet kushtetuese. Por, jemi duke punuar me partnerët tanë si në Qeveri, por edhe me partnerët e jashtëm strategjik për ta gjetur formën më të mirë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. 
 
Mexhiti po ashtu theksoi se Qeveria aktuale dhe kjo shumicë parlamentare është shumë e qëndrueshme, dhe se po punohet intensivisht që kësaj shumice t’i bashkohen edhe disa deputetë të tjerë, me qëllim që të arrihet numri 80, çka do t’i mundësonte edhe me lehtë të kryhen edhe ndryshimet kushtetuese.  
 
FITIM KRYEZIU