Maqedoni

Akademia nën thjerrëzën e Prokurorisë, MPB-ja siguron prova materiale

26.07.2024 15:31

Hetimi që po zhvillohet për rastin e gjykatësit suprem, Nake Georgiev...

Hetimi që po zhvillohet për rastin e gjykatësit suprem, Nake Georgiev, ka ngritur indicie në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të kryejë kontroll në zyrat e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë. Gjatë kontrollit të realizuar nga ekipi i Prokurorisë dhe MPB-së në orët e djeshme të pasdites janë konfiskuar dy telefona celularë nga personi i punësuar në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, si dhe një video dhe dy dosje për një ish dhe një kandidat aktual të Akademisë, që kanë për qëllim zbardhjen e një vepre të re penale.

"Në kuadër të rastit kundër një gjyqtari suprem, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë analizimit të telefonit të të dyshuarit, ka gjetur informacione që tregojnë për kryerjen e mundshme të një vepre tjetër penale.", njoftojnë nga Prokuroria.
 
“Vepruan me urdhër të gjykatësit në procedurë paraprake, ndërsa me kërkesë të Prokurorisë për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. U morën të dhëna elektronike nga sisteme të kompjuterit, celularë dhe dosje nga gjykatës dhe prokurorë tani më të zgjedhur.”, - deklaroi zëdhënësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Goce Andrevski.
 
Nga udhëheqësia e Akademisë vërtetojnë se ekipe të hetimit kanë hyrë në zyrat e tyre, ndërsa të punësuarit kanë bashkëpunuar dhe u kanë dhënë të gjitha informatat që janë kërkuar.
 
“Dorëzova materialin e kërkuar, i cili përbëhet nga një dosje me dokumente dhe rezultate nga provimi për një të gjuhës nga gjenerata e shtatë e Akademisë. Pastaj video-incizimin nga testimi kualifikues për pranimin e gjeneratës së tetë me aq sa dispononte Akademia dhe në fund një dosje me dokumente për një kandidat për pranimin fillestar në gjeneratën e nëntë të Akademisë, e cila gjeneratë akoma nuk ka filluar me trajnimin fillestar pasi nuk ka përfunduar provimi pranues. Gjithashtu informojmë publikun se nga një nëpunës në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë janë marrë dy telefona mobil për të shqyrtuar indiciet që kanë dalë nga një analizë e kryer nga një lëndë tjetër.”, - theksoi U.D. drejtori i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, Ilir Iseni. 
 
Kryeministri Mickoski pret që kompetentët të zbardhin sa më shpejtë rastin.
 
“Ka indicie për krijimin e një Qendre pushteti në Prokurori dhe Gjyqësor, që është në mënyrë partiake e mbyllur përmes shpalljeve të kurdisura atje. Indicie të tilla ka, nëse ajo do të vërtetohet do të tregojë Ministria e Punëve të Brendshme. Por, nëse vërtetohet nga ajo që unë e kam në dispozicion, është edhe një hap para drejt asaj se me të vërtet kemi gjyqësor dhe prokurori partiakisht të mbyllur dhe nuk është për t’u habitur që besimi është 2%.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Gjykatësi suprem, Naqe Georgiev, ka tre muaj në paraburgim nën akuzën për ryshfet në rastin e ish-kryetarit të Novosellës, Boro Stojçev.
 
FLORIJE KAMBERI