Maqedoni
Korrigjohen përqindjet e balancuesit, Minçev: Balancuesi është keqpërdorur
26.07.2024 15:45
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, bëri të ditur se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit...

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, bëri të ditur se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, i cili nga viti 2022 ka numëruar edhe diasporën, që do të thotë se në përllogaritjen e re do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente, sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit. Me këtë, numri i maqedonasve në administratë do të rritet nga 54.21 në 58.44 për qind, ndërsa numri i shqiptarëve nga 29.52 do të ulet në 24.30 për qind. Ndryshimet janë bërë në përputhje me ligjin, theksoi Minçevi sipas të cilit tash e tutje në llogaritjet e planeve vjetore të punësimit në sektorin publik do të përfshihet vetëm popullata rezidente në shtet.
“Vërejtjet më të shpeshta janë mospërputhja me balancuesin, respektivisht shifra e shkruar gabimisht e përqindjes, sa i përket punësimeve të bashkësive etnike. Nga punësimi qind për qind rreth 18 deri në 19 për qind e kanë keqpërdorur mundësinë për përcaktimin e përkatësinë etnike të cilës i takojnë.”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Minçev: Do të kyçet vetëm popullsia rezidente
120 institucione dorëzuan planet e tyre vjetore të punësimit. Për shkak të vërejtjeve me balancuesin, Minçevi ktheu 115 për rishikim, që duhet të harmonizohen me përqindjet e reja dhe vetëm 5 kaluan filtrin. Në të kaluarën, sipas Minçevit, balancuesi është abuzuar shpesh dhe për këtë ka paralajmëruar revizion. Paraardhësi i Minçevit, Admirim Aliti, ka llogaritur se 29.52 për qind e shqiptarëve duhet të përfaqësohen në planet vjetore të punësimit dhe në këtë përqindje është përfshirë edhe diaspora. Qeveria njoftoi se heqja e balancuesit do të bëhet në disa faza.
FLUTURA LATIFI
