Ekonomi

Ribalanci i buxhetit, opozita e kritikon, pushteti e sheh si të arsyeshëm

26.07.2024 16:00

Opozita me kritika për ribalancin e buxhetit, kurse pushteti e vlerëson si zgjidhje optimale për ekonominë....

Opozita me kritika për ribalancin e buxhetit, kurse pushteti e vlerëson si zgjidhje optimale për ekonominë. Në këtë mënyrë kaloi dita e dytë e debatit mbi rishikimin e buxhetit në komisionin për financa dhe buxhet. Për opozitën shqetësuese është niveli i deficit buxhetor, i cili kap vlerën e 720 milionë euro. Sipas socialdemokratëve kjo sinjalizon se Maqedonia e Veriut do të shndërrohet në shtet të robëruar nga borxhi.
 
“Borxhi publik në fund të vitit do të arrijë në 68% nga PBB-ja nga 58% sa është. Kësi lloj rritje prej 10% në afat prej një viti, shteti kishte vetëm një herë në kohë pandemie. Me atë që atëherë e dinim se përse po merren ato para, që të përballemi me pandeminë dhe t’u dalim në ndihmë kompanive, kurse tani atë nuk e dimë.”, - deklaroi Jovana Trençevska nga LSDM. 
 
VMRO-DPMNE-ja e cilëson si hipokrizi qëndrimin e Trençevskës, duke thënë se ajo ka lënë pensionistët pa pensione, kurse nga ana tjetër derdh “lot krokodili” për deficitin buxhetor.
 
“A nuk është pafytyrësi të flasim për atë se sa është rritur deficiti buxhetor duke marrë për bazë edhe faktet e ministres dhe personave tjerë se keni bërë një pafytyrësi ku pensionin e dhjetorit e keni paguar në janar. Me të vërtetë është hipokrizi që në debat për ribalancë të buxhetit, të flasim për një situatë të tillë ku keni lënë buxhet pa 5 miliardë denarë për pagesë të rregullt të pensioneve. Pra, nuk po flas për rritje, por për pagesë të rregullt.”, - theksoi Dragana Bojkovska nga VMRO-DPMNE.
 
Nga Ministria e Financave thonë se edhe përskaj rritjes së deficitit buxhetor, me këtë ribalancë do të bëhet konsolidimi fiskal përmes shkurtimit të shpenzimeve joproduktive.
 
“Kjo qeveri ka për qëllim të bëjë një konsolidim fiskal të të gjithë ekonomisë. T’i ekipojë të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë, të bëhet kontroll i shpenzimeve joproduktive dhe kjo është ajo që në këtë moment relativisht të shkurtër Qeveria dhe Ministria e Financave e bëri.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
 
Me rishikimin e buxhetit, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 318.2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 362.8 miliardë denarë. Rritja prej 19.2 miliardë denarë, rritja e PBB-së parashikohet në 2.1 për qind, inflacioni parashikohet në nivelin 3.5 për qind, kurse deficiti buxhetor 4.9%.
 
ERSAN PAJAZITI