Botë

U dogjën dy makina të komunës së Zveçanit

26.07.2024 16:43

Dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur gjatë natës së të premtes...

Dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur gjatë natës së të premtes, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. Policia e Kosovës kanë konfirmuar rastin dhe mëngjesin e sotëm kanë bërë  të ditur se kanë nisur hetimet për djegien e dy veturave komunale, nga ku shtojnë se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme ku nuk ka të lënduar. Nga ana tjetër, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, e ka dënuar aktin e djegies së dy veturave zyrtare në këtë komunë, duke e quajtur këtë akt kriminal.
 
“Rreth orës 01:36 pas mesnatës, një ngjarje e papritur u shënua kur dy vetura zyrtare u përballen me flakë zjarri pranë objektit të komunës sonë. Menjëherë pas informimit, kryetari i komunës z.Ilir Peci ka dalë në vendin e ngjarjes dhe shpreson që autorët të cilët janë përgjegjës për këtë akt kriminal do të dalin së shpejti para drejtësisë.”, ka shkruar Peci në Fejsbuk.
 
Peci gjithashtu ka deklaruar se në komunën e Zveçanit ditëve të fundit ka nisur edhe takimet dhe dëgjimet publike për aspektin buxhetor, ndërsa kjo vjen si formë për të tentuar që t’i frikësojnë qytetarët për të mos marrë pjesë në këto takime. Ai gjithashtu thotë se ndjehet edhe i kërcënuar për sigurinë e tij ku ka kërkuar mbrojtje të afërt, por iu refuzua pa ndonjë arsyetim nga Policia e Kosovës. Raste të djegieve të veturave në veri të Kosovës janë regjistruar edhe më herët.
 
GAZMEND KURTISHI