Botë

Harris bën thirrje për armëpushim në Gazë, zyrtarët izraelitë vërshojnë me kritika ndaj saj

26.07.2024 17:07

Rritet presioni mbi Izraelin për të ndaluar luftën në Gazë....

Rritet presioni mbi Izraelin për të ndaluar luftën në Gazë. Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, si dhe kandidatja e mundshme e partisë demokratike për presidente të ShBA-së, ngriti “shqetësime serioze” me Benjamin Netanjahun gjatë diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë. Ajo u shpreh e shqetësuar për situatën humanitare në Gazë dhe u zotua se nuk do të heshtë më ndaj vrasjes së civilëve të pafajshëm. Pavarësisht se Harris i përshkroi diskutimet me kryeministrin izraelit, si “të sinqerta”, deklarata e saj përmbante një element qortimi për Netanjahun.
 
"Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe të përfundojë në një mënyrë ku Izraeli të jetë i sigurt, të gjithë pengjet të lirohen, vuajtjet e palestinezëve në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të ushtrojë të drejtën e tij për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Mbetem e përkushtuar ndaj një rruge përpara që mund të çojë në një zgjidhje mes dy shtete. Imazhet e fëmijëve të vrarë dhe njerëzve të uritur nuk më lejojnë të hesht.”, - deklaroi zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris.
 
Ndërkohë zyrtarët izraelitë sulmuan zëvendëspresidenten, Kamala Harris, për shkak të thirrjeve për armëpushim. Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben Gvir, në një postim në rrjetet sociale, tha: "Nuk do të ketë armëpushim, kandidate femër.”. Ndërsa ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich tha: “Marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve nënkupton dorëzimin ndaj Jahja Sinvar, liderit të Hamasit në Gazë, rimëkëmbjen e Hamasit dhe braktisjen e të burgosurve izraelitë.".
 
Kritika për Qeverinë e Izraelit lëshoi edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ndaj përpjekjeve të parlamentit izraelit për ta përcaktuar Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRVA) si një “organizatë terroriste”. Borrelli tha se Izraeli duhet t’i japë fund kësaj marrëzie.
 
“Ndalimi i UNRVA-së dhe etiketimi i saj si “terroriste”, gjë që nuk është, do të thotë të synosh stabilitetin rajonal dhe dinjitetin njerëzor të kujtdo që përfiton nga puna e agjencisë së OKB-së. Ne i bashkohemi shumë vendeve tona partnere duke i bërë thirrje qeverisë izraelite që t’i japë fund kësaj marrëzie.”, - theksoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josef Borrell.
 
Në Izrael, tri projektligje u votuan në Parlament dhe e shpallin UNRVA-në “organizatë terroriste”, ndalojnë punën e saj në vend dhe heqin imunitetin e punonjësve të saj.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU