Maqedoni
Mesazhet kërcënuese ndaj deputetëve të BDI-së – reagon Gashi, kërkon të zbulohen personat
27.07.2024 18:41
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se deputetët e BDI-së...

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se deputetët e BDI-së kanë marrë mesazhe elektronike me kërcënime nga një dërgues i panjohur. I shqetësuar nga këto mesazhe, Gashi kërkon që institucionet kompetente të hetojnë incidentin dhe zbulojnë personat që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve.
“Kryetari i Kuvendit dënon ashpër çdo formë kërcënimi, tentativë për dhunë apo nxitje për dhunë. Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe liria e fjalës është e pacenueshme, ajo nuk duhet të kërcënojë lirinë e të tjerëve. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në mediat sociale mund t’i japë dërguesit ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta. Kryetari Gashi është i bindur se dërguesi do të identifikohet dhe sanksionohet”, thuhet në reagimin e kabinetit të kreut të kuvendit.
Reaguan edhe BDI.
“Jemi dëshmitarë të kërcënimeve serioze dhe mesazheve të dhunshme drejtuar deputetëve të BDI-së, të cilat jo vetëm janë kërcënim për anëtarët tanë, por edhe sulm direkt ndaj vlerave dhe institucioneve demokratike të vendit tonë. Me akuza të sajuara dhe veprime të dhunshme, ata përpiqen të largojnë vëmendjen e publikut nga problemet reale dhe rezultatet katastrofike të politikave në pushtet”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kjo parti iu bën thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë këto incidente dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e siç thonë, kësaj fushate terrori dhe frikësimi. Kërcënimet në adresë të kolegëve të tyre i dënuan edhe nga Aleanca për Shqiptarët.
