Botë
Lindja e Mesme, Izraeli iu përgjigj sulmit të përgjakshëm
28.07.2024 19:30
Lindja e Mesme në buzë të humnerës...

Avionët izraelitë kanë goditur objektivat e Hezbollahut thellë brenda territorit libanez pasi një raketë ra në një fushë futbolli në Lartësitë e Golanit, duke vrarë 12 adoleshentë dhe duke plagosur më shumë se 30.
“Unë jam 27 vjeç dhe nuk kam dëgjuar kurrë të shtënë në këtë vend më parë”. Ne jemi të frikësuar, nuk mund ta shpjegoj. I pashë fëmijët, por nuk dua të tregoj atë që pashë, ishte kaq e tmerrshme. Ne kemi nevojë për më shumë siguri”, u shpreh një banor i Majdal Shams, Anan Abu Saleh.
“Kjo ishte një ditë e zezë për ne dhe për vendin tonë. Ne humbëm 12 adoleshentë, fëmijë që luanin futboll këtu në Majdal Shams. Ne kemi shpallur ditë zie”, theksoi udhëheqësi shpirtëror i komunitetit Druz, Movafag Tarif.
Ministri i Mbrojtjes Gallant vizitoi vendin e sulmit. Kryeministri Netanyahu, i zemëruar, tha se Hezbollahu do të paguante një çmim të madh. Edhe pse Hezbollahu ka mohuar se ka gjuajtur raketa në Majdal Shams, ushtria izraelite pretendon se ka prova të pakundërshtueshme që tregojnë se grupi militant, i cili ka lidhje të ngushta me Iranin, kreu sulmin.
“Ekipi ynë i mjekësisë ligjore zbuloi se ishte një raketë Falak-1, e prodhuar në Iran dhe e furnizuar për Hezbollahun. “Hezbollahu është e vetmja organizatë terroriste në Liban që posedon raketa të tilla”, u shpreh një zëdhënës i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.
Ish-ministri i mbrojtjes në Qeverinë e Unitetit Kombëtar të Izraelit, Benny Gantz, i kërkoi Netanyahut të ridrejtojë disa nga burimet për të mbrojtur frontin verior.
“Ne kemi një detyrim moral ndaj jugut për t'i kthyer pengjet në shtëpi dhe një detyrim strategjik për të garantuar sigurinë e njerëzve në veri." I thashë Netanyahut të ridrejtojë burimet. Hezbollahu është fajtor për atë që ndodhi, dhe qeveria e Libanit është gjithashtu përgjegjëse”, theksoi presidenti i partisë së unitetit kombëtar Benny Gantz.
Paralelisht me luftën në Gaza, e cila çdo ditë sjell viktima të reja e të reja, javët e fundit është intensifikuar shkëmbimi i zjarrit përgjatë kufirit libanezo-izraelit. Hezbollahu lëshon raketa, Izraeli sulmon nga ajri. Kjo ka rritur shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar se konflikti në Lindjen e Mesme po i afrohet një pike pa kthim.
FLUTURA LATIFI TOPOJANI
