Ekonomi
Biznesi pret para nga kredia hungareze
28.07.2024 17:58
Kompanitë do të duhet të rrisin vëllimet e prodhimit nëse duan...

Kompanitë do të duhet të rrisin vëllimet e prodhimit nëse duan para nga linja e kreditit hungarez. Ministria e Financave është duke hartuar një ligj për të përcaktuar kushtet. Ata nuk japin detaje, por thonë se mjetet janë me kamatë 3.25 për qind, 15 vite shlyerje dhe grejs periudhë tre vjet. Kredia nuk do të ndikojë në borxhin publik.
“Realizimi do të bëhet përmes Bankës Zhvillimore, ndërsa fondet do të jenë në dispozicion të përdoruesve fundorë përmes bankave komerciale në vend. Duke qenë se bëhet fjalë për kredi që kompanitë do të kthejnë, ato nuk do të kenë ndikim në borxhin pas kthimit të tyre”, thonë nga Ministria e Financave.
Qeveria paralajmëron shpërndarje transparente të parave, ndërsa opozita kritikon se kredia që do të arrijë në vjeshtë do të na çojë në skllavëri borxhi. Ekonomistët mendojnë se këto para janë një nxitje e mirë për ekonominë, por qeveria duhet të kujdeset që ato të përfundojnë në prodhim, e jo në mbështetje të kompanive për shërbime konsulence.
“Ndoshta qeveria duheј ta përdorte këtë kredi për një qëllim tjetër, për investime kapitale ndërsa bankave komerciale t’iu bëjë një rregullim tjetër që të mund të mbështesin ekonominë tonë që në afat të mesëm dhe afatgjatë të kemi një ekonomi nga e cila mund të tërhiqni mjete dhe të jeni të denjë për kredi dhe të paguani”, u shpreh analisti ekonomik Abil Baush.
Biznesmenët kërkojnë që kriteret të mos jenë shumë strikte.
“Të mos na ndodhë siç ndodhi me kredinë kineze, ishte me interesa shumë të favorshme, por kinezët fituan shumë më tepër nga diferenca e çmimeve të punimeve të kryera nga nënkontraktorët tanë, sesa nga interesi. Pra, le të punojnë kompanitë tona, le të qëndrojnë paratë këtu, le të paguhen punëtorët tanë, do të blejnë përsëri në dyqane, do të paguajnë TVSH-në dhe në atë mënyrë nxitet, shumëfishohet zhvillimi dhe mendoj se do të ketë efekte pozitive”, theksoi Angel Dimitrov nga organizata e punëdhënësve.
Biznesmenët insistojnë që kreditë të kenë një periudhë mospagimi prej 5 vitesh dhe të jenë me afat maturimi 20-vjeçar në mënyrë që të mos ndiejnë barrën e kësteve. Me marrëveshjen për bashkëpunim të veçantë ekonomik, qeveria është optimiste se vetëm në bazë të interesit shteti do të kursejë 100 milionë euro.
Me këtë kontribut, TVM i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit e zbaton në bashkëpunim me mediat në kuadër të projektit “Përdor faktet”.
XHANAN HALILI