Nisma për akademi shqiptare në RMV, Taravari: Është përcaktimi ynë programor

29.07.2024 14:25

VLEN-i nuk tërhiqet nga ideja për të themeluar Akademinë Shqiptare...

VLEN-i nuk tërhiqet nga ideja për të themeluar Akademinë Shqiptare për Shkencë dhe Art krahas AShAM-it. Kreu i ASh-së, Arben Taravari, thotë se kjo nismë është pjesë e programit të tyre parazgjedhor dhe ka të bëjë me përmirësimin e statusit të akademikëve shqiptarë dhe bind se deri në këto momente për këtë çështje nuk ka mospajtime me partnerët e koalicionit qeveritar.

Taravari thotë se kjo nuk është nismë për të identifikuar shkencën përmes një etnie, nuk cenon të tjerët dhe nuk është në dëm të askujt, por përkundrazi është nismë, e cila do të begatojë shkencën, artin dhe kulturën dhe do të mbështesë dhe zhvillojë edhe më shumë akademitë shkencore.

“Jo, nuk kemi mospajtime në Qeveri. Ky ishte përcaktimi ynë programor që nga periudha e fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare dhe gjithmonë idetë që kemi për shkencën dhe artin janë të mira dhe të bukura. Kështu që tani filluam me këtë nismë nga katër komuna dhe shpresoj se më tej do të gjejmë zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë që jetojmë në RMV.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.

Në të njëjtin mendim është edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, i cili vlerësoi se themelimi i Akademisë së Shqiptarëve është investim për të ardhmen.

“Unë mendoj se këtë nismë të gjithë duhet ta shohin pozitivisht dhe duhet të jenë të lumtur kur shqiptarët apo qytetarë të tjerë kërkojnë që të merren me shkencë respektivisht me hulumtime dhe arritje shkencore. Mendoj se me këtë nismë shteti nuk humb, por është investim për të ardhmen.”, - theksoi kryetari i LD-së, Izet Mexhiti.

Mickoski: Nuk duhet të ndahemi

Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se nisma e VLENI-it nuk i ka shkaktuar probleme koalicionit qeveritar. Sa i përket kësaj çështjeje, Mickoski vlerëson se AShAM-i nuk duhet të ndahet, por duhet punuar për ta përforcuar me më shumë akademikë.

“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë. E kemi AShAM-in dhe në kuadër të kësaj Akademie ka shkencëtarë nga bashkësitë e ndryshme etnike dhe duhet të punojmë për të përforcuar me më shumë shkencëtarë dhe kjo është ardhmëria. Ardhmëria nuk është në ndarje, por në bashkim. Vlerësoi se në këtë kahje duhet të realizohet kjo nismë.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

LSDM, kundër nismës së VLEN-it

LSDM-ja opozitare është shprehur kundër idesë së VLEN-it për formimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqiptarëve. AShAM-i duhet të mbetet institucion i vetëm në të cilin do të anëtarësohen shkencëtarë të njohur nga të gjitha bashkësitë etnike dhe se ajo nuk duhet të partizohet dhe të keqpërdoret.

“Kjo nuk është hera e parë që VLEN-i dhe drejtuesit e saj e përmendin Akademinë Shqiptare si projekt, por Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja kanë heshtur me kokëfortësi. Cilat kërkesa të tjera të papranueshme për shumicën e qytetarëve i ka heshtur apo i ka pranuar fshehurazi Mickoski? Patriotët më të mëdhenj Mickoski dhe Dimitrievski, për hir të një pozite komode në pushtet, më qëllim janë bërë si të shurdhër ndaj kërkesave të VLEN-it.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Ditë më parë kundër nismës së VLEN-it për të themeluar akademinë e parë të shqiptarëve është prononcuar edhe Lëvizja “E di” e Maksim Dimitrievskit, i cili kritikoi ashpër nismën e VLEN-it si të panevojshme. BDI-ja këtë nismë e cilësoi si Akademi mëhallësh dhe komunale, e cila nuk korrespondon me nevojat dhe realitetin e shqiptarëve duke kërkuar që Qeveria të mbështesë propozim-ligjin e tyre me të cilën do të krijohen vende për më tepër akademikë. (Rexhep Qamili, TVM2)