Mickoski takon përfaqësuesit e OEMVP-së, Qyra: Duam kushte të favorshme
Ashtu sikurse në opozitë, ashtu dhe tani...

Ashtu sikurse në opozitë, ashtu dhe tani, kryeministri Mickoski po bashkëpunon me kompanitë, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Mendi Qyra nga OEMVP-ja thotë se kompanitë pranë kësaj ode janë të gatshme që të aplikojnë për të përfituar mjete nga huamarrja e re që do të kap vlerën prej 250 milion eurove. Kryeministrit Mickoski i kërkuan dhe më shumë investime kapitale dhe përmirësim të kushteve infrastrukturore.
“Besoj se do të vazhdojmë komunikimet dhe OEMVP-ja do të jetë e hapur gjithmonë që të bashkëpunojë me Qeverinë e re, e cila do të ketë mbështetjen tone, dhe do t’i japim mundësit tona si staf dhe si odë dhe biseduam në lidhje me mjetet që do të ndahen 250 milionë me kushte të favorshme që anëtarët tanë do të aplikojnë dhe do t’i marrin. Gjithashtu folëm dhe për ribalancin dhe sigurisht për buxhetin e ardhshëm të vitit 2025 ku thamë që investimet kapitale të rriten dhe jo të zvogëlohen, sepse janë pozitive për ekonominë.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonsië Veriperëndimore, Mendy Qyra.
Mickoski: Rritja e kompanive vendore, prioritet
Kryeministri Mickoski thotë se Qeveria do të jetë partner i kompanive. Kërkesën e OEMVP-së për ulje të kontributeve, me qëllim të rritjes së pagës minimale, Mickoski thotë se e penalizojnë marrëveshjet kolektive.
“Si qeveri jemi përkushtuar që të punojmë fuqishëm me ekonominë e Maqedonisë dhe kompanitë dhe t’i ndihmojmë që ata ta ngriten. Folëm dhe për huamarrjen e re prej 500 milionë euro nga qeveria hungareze dhe se si kjo huamarrje do të funksionojë në ekonomi. Nuk duam që kjo kredi të jetë e rënduar dhe me kushte të tjera nga bankat, andaj po bisedojmë dhe me bankat. I dhamë argumentet tona, bëhet fjalë për marrëveshjet kolektive dhe inflacionin, por gjithsesi në të ardhmen duhet të gjejmë zgjidhje që të ketë sa më shumë njerëz të kyçur në tregun e punës. Çdo ditë e shohim se si bie numri i punëtorëve dhe njëkohësisht bie dhe numri i të papunëve, kjo nuk do të thotë se numri i fuqisë punëtore është i kënaqshëm.”, - theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Qeveria deri në fund të vitit do të pret analizat e të hyrave nga tatimet, për të parë nëse do të ketë hapësirë për ulje të tatimeve. Tatimi në fitim për kompanitë multinacionale nga 10 për qind do të ulet në 5 për qind nga viti i ardhshëm, thotë kryeministri, Hristijan Mickoski. (Gazmend Rexhepi, TVM2)