KRRE: Ulet çmimi i ngrohjes termike në Shkup

29.07.2024 15:23

Çmimi i ngrohjes për amvisëritë në Shkup...

Çmimi i ngrohjes për amvisëritë në Shkup nga 1 gushti ulet për 3.16 për qind për përdoruesit e Elektrodistribucionit të Maqedonisë për 1.71 për qind për shfrytëzuesit e ngrohtores Shkup Veri dhe për 0.5 për qind për përdoruesit e Elektorodistribucionit Energjetika.

Për 1.200 kompani, shkolla dhe institucione që janë të kyçura në ngrohjen qendrore të qytetit, çmimi i ngrohjes është më i lirë për 17.3 për qind. Sipas kryetarit të Komisionit Rregullativ për Energji, Marko Bislimovski, ulja e çmimit për amvisëritë është llogaritur pa subvencione.

Nëse vazhdon subvencionimi i faturave të ngrohjes, ulja e çmimit do të ishte 17.35 për qind. Në anën tjetër, çmimi për shfrytëzuesit e biznesit nuk ishte fare i subvencionuar deri më tani.

“KRrE-ja vlerëson se aktualisht jemi duke hyrë në stabilizim sa i përket çmimeve të energjisë në përgjithësi, gazi natyror po kthehet në normalitetin e pritur dhe se nuk ka nevojë për subvencione. Subvencionet padyshim ndihmuan në zbutjen e efekteve të krizës energjetike, përpara pandemisë. Kjo është një periudhë e shkëlqyer që kompanitë energjetike të stabilizohen dhe konsolidohen financiarisht dhe të bëjnë përpjekje për rehabilitimin e infrastrukturës.”, - deklaroi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Vendimi për çmimin, sipas Bislimovskit është pozitiv për konsumatorët, por gjendja në terren është shqetësuese.

“Tubacioni në urën e Bellasicës nuk është në funksion, kjo është gjendja aktuale që kam si informacion për momentin. Para fillimit të sezonit të ngrohjes paralajmërojmë të respektohet interesi publik dhe ta bëjmë tubacionin funksional. Askush nuk e di se çfarë dimri do të kemi, nëse do të jetë i butë apo me temperatura minus. Gazsjellësi alternativ ka kapacitet më të vogël dhe nëse ka dimër të ftohtë do të ketë probleme në furnizimin e shumicës së konsumatorëve në Shkup, nëse gazsjellësi nën Bellasicën riparohet.”, - theksoi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Sipas Bislimovskit, disa nga kompanitë kanë paralajmëruar se do ta ankimojnë vendimin e KRrE-së për uljen e çmimit të energjisë termike në Gjykatën Administrative. Shumica prej tyre kërkuan rritje të çmimit për 50 për qind, por Bislimovski beson se nuk do të ketë ndryshime të këtij vendimi. Në sistemin e ngrohjes në Shkup janë të kyçura 64 mijë amvisëri. (Flutura Latifi, TVM2)