Maqedoni
Mospajtimet mes partnerëve të koalicionit, Mickoski: Janë normale, funksionojmë si familje
29.07.2024 15:46
“Jozyrtarisht mund t’ju them se kemi shumicë të dy të tretave.”...

“Jozyrtarisht mund t’ju them se kemi shumicë të dy të tretave.”. Kështu tha kryeministri Hristijan Mickoski, në pyetjen se a është i vërtetë pretendimi i zëvendëskryeministrit Mexhiti se shumica parlamentare së shpejti do të numërojë mbi 80 deputetë.
Por, sa është stabil koalicioni qeveritar, duke marrë parasysh qëndrimet e kundërta mes koalicionit VLEN dhe koalicionit “E di” për çështje të ndryshme si tema e flamurit kombëtar apo çështja e përqindjes së shqiptarëve që duhet të punësohen në administratë?! Kryeministri tha se është normale që në një koalicion të ketë qëndrime të ndryshme, por që në fund përmes dialogut merren vendime të përbashkëta.
“Ju në një familje, në shtëpi kur jeni, ndodh që jo gjithmonë të pajtoheni me anëtarët e familjes, mund të keni keqkuptime të caktuara për tema të caktuara. Por, përmes një dialogu, përmes një ambienti demokratik dhe shoqëror duhet t’i tejkaloni. Deri më tani në këto pesë javë ashtu funksionojmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: Provokimet nuk janë prioritet i Qeverisë
Për mosdakordësinë me partnerët e koalicionit u pyet edhe zëvendëskryeministri Mexhiti. Ai i bëri thirrje ministrit të Administratës Minçev, që të mos merret me provokime etnike, pasi sipas Mexhitit kjo qeveri ka prioritete tjera.
“Ne dimë të merremi edhe me provokime edhe me çështje etnike, mirëpo fokusi i Qeverisë është në çështje tjera, në zhvillim ekonomik, në orientimin evropian të këtij shteti, në decentralizim. Ndërsa, ministrit Minçev do t’i kisha bërë thirrje, njëherë ka problem me zyrën e tij, ka problem se ku të vendoset, si të vendoset dhe do ta kisha lutur mos të merret që në fillim me provokime dhe me atë se sa shqiptarë do të punësohen.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Përndryshe ministri për Administratë Publike nga radhët e koalicionit “E di’, Goran Minçev, ka marrë vendim që të ulë përfaqësimin e shqiptarëve në administratë nga 29.52% në 24.30%. Kjo nxiti reagime nga VLEN-i, po ashtu edhe nga “Fronti Evropian”.
ERSAN PAJAZITI
