Maqedoni

MPB-ja kallëzim penal ndaj Bekteshit, ish-ministri i dyshuar për "pengim të drejtësisë"

29.07.2024 16:09

Sektori për Punë të Brendshme në Ohër ka ngritur kallëzim penal...

Sektori për Punë të Brendshme në Ohër ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai dyshohet për "pengim të drejtësisë" e që ka të bëjë me një porosi të tij të dërguar më 7 maj, një ditë para zgjedhjeve, ndaj kryeshefit të Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.
 
Sipas policisë, mesazhi i dërguar ndaj shefit të policisë ka të bëjë me aktivitetet policore pas dyshimeve të raportuara për parregullsi zgjedhore. Policia ka kontrolluar akuzat për keqpërdorim të të dhënave personale dhe fotografim të votimit, kurse kryeshefi i policisë ka marrë një mesazh nga ministri Bekteshi.
 
Për veprën që dyshohet Bekteshi është e paraparë gjobë ose dënim me burg. Pas akuzave të adresuara dhe kallëzimit penal, Bekteshi shpalosi porosinë që ia ka dërguar kryeshefit të policisë. “Ju lumtë. Të fortë jeni! Duhet t’ju vij turp të merreni me njerëz të rinj.”. Sipas tij bëhet fjalë për përndjekje politike, ndërsa qëllimi i fiksimit nuk do iu kalojë. Këtë veprim ndaj ish-ministrit të tyre, BDI-ja e ka cilësuar si dhunë të orkestruar politike.
 
“Dënojmë “gjuetinë politike të shtrigave” të motivuar politikisht që ka në shënjestër ish-ministrin tonë të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe BDI-në si organizatë politike. Akuzat e pabaza për “pengim të drejtësisë” të ngritura kundër tij janë të fundit në një seri akuzash dhe kërcënimesh të pabazuara që synojnë diskreditimin e partisë sonë dhe përfaqësuesve të saj.”, thanë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
 
Ndërkohë, publikimin e porosisë nga ana e Bekteshit, VMRO-DPMNE-ja e sheh si pranim të fajit. Tani radhën e ka Prokuroria dhe Gjyqësori, thonë nga kjo parti.
 
“Çfarë janë për Bekteshin njerëz të rinj? A janë ato persona nga 18 deri në 30 vjeç dhe a duhet të mos ndiqen nëse kanë bërë kundërvajtje ose kanë bërë vepër penale. Çfarë porosie u dërgon Bekteshi të rinjve? BDI-ja në vend që të bën budallain nëpër media, më mirë do të jetë që të distancohet nga të tillët si Bekteshi.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
Rastin në fjalë nuk deshi ta komentoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, por që ua lë organeve të rendit të zbardhin rastin. 
 
FLORIJE KAMBERI