Botë
Zgjedhjet presidenciale në Venezuela, për herë të tretë fiton Nikolas Maduro
29.07.2024 16:55
Në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës fitoi presidenti aktual, Nikolas Maduro...

Në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës fitoi presidenti aktual, Nikolas Maduro, njoftoi kreu i Këshillit Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës, Elvis Amoroso, i cili është një aleat i ngushtë i Maduros.
Sipas tij, 80 për qind e kutive të votimit janë hapur dhe se kandidati i Polit të Madh Patriotik, Maduro, fitoi zgjedhjet presidenciale në të cilat garuan 10 kandidatë. Sipas rezultateve të para, Maduro me 51.20 për qind ka garantuar fitoren në zgjedhjet presidenciale për herë të tretë.
"Në orët e ardhshme rezultatet do të jenë të disponueshme në faqen e internetit të Këshillit Kombëtar Zgjedhor. Tabelë për tabelë, siç është bërë historikisht falë sistemit të automatizuar të votimit. Po kështu, rezultatet do t'u dorëzohet organizatave politike në përputhje me Ligjin.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Kombëtar Zgjedhor, Elvis Amoroso.
"Ata nuk mund t'i kapërcejnë sanksionet. Ata nuk mundën ta kapërcejnë agresionin dhe nuk do të mund ta kapërcejnë kurrë dinjitetin e popullit të Venezuelës.”, - theksoi presidenti i rizgjedhur i Venezuelës, Nikolas Maduro.
Ndërsa, kandidati i koalicionit opozitar për Platformën e Bashkuar Demokratike (PUD), Edmundo Gonzalez, renditet i dyti me 44.20 për qind. Opozita venezueliane nuk e pranon rezultatin dhe pretendon se është bërë mashtrim gjatë numërimit të votave. Përfaqësuesja e opozitës tha se kandidati i saj, Edmundo Gonzalez, kishte fituar me 70% të votave dhe këmbënguli se ai ishte presidenti i zgjedhur i ligjshëm.
"Ata i nxirrnin dëshmitarët tanë nga qindra qendra votimi dhe kishte qindra qendra votimi që ishin mbyllur tashmë, por ata nuk donin të printonin fletëvotimet apo t'i shpërndanin ato. Ky ishte sinjali i qartë. Pse do ta mbyllni një qendër votimi dhe të mos shtypni fletën e llogaritjes. Pse? Lufta jonë vazhdon dhe ne nuk do të pushojmë derisa të respektohet vullneti i popullit të Venezuelës.”, - u shpreh udhëheqësja e opozitës në Venezuelë, Maria Korina Mahado.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, ishte ndër të parët që shprehën skepticizmin e tij pas shpalljes së rezultatit nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor, organ i cili dominohet nga besnikët e Qeverisë.
“Ne kemi shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin apo votat e popullit venezuelian. Është kritike që çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, që zyrtarët zgjedhorë të ndajnë menjëherë informacionin me opozitën dhe vëzhguesit e pavarur pa vonesë dhe që autoritetet zgjedhore të publikojnë tabelimin e detajuar të votave.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
Partitë opozitare ishin bashkuar pas Gonzalezit në një përpjekje për të rrëzuar presidentin Maduro pas 11 vitesh në pushtet. Gjatë 10 viteve të fundit, 7.8 milionë njerëz janë larguar nga Venezuela për shkak të krizës ekonomike dhe politike në të cilën vendi u zhyt nën administratën Maduro.
FARIJE DAUTI BAKIJU
