Fërkimet rreth balancuesit, Minçev: Është çështje e mbyllur
Balancuesi i ri nuk është provokim...

Balancuesi i ri nuk është provokim për partnerët e koalicionit në Qeveri, por thjesht nënkupton respektim të ligjeve ekzistuese. Kështu iu përgjigj ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, vërejtjeve të VLEN-it se balancuesi i ri për punësim në administratën publike, sipas popullsisë rezidente të regjistruar, është provokim për shqiptarët, sepse përqindja e tyre është në rënie.
Për ministrin, balancuesi është një temë e mbyllur dhe ai tanimë po zbatohet.
“Më së paku kam qëllim të provokoj një nga partnerët tanë të koalicionit. Ne zbatojmë ekskluzivisht ligjet dhe një nga parimet mbi të cilat është lidhur ky koalicion është respektimi i ligjeve. Unë thjesht zbatoj ligjet. Në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik thuhet qartë se balancuesi zbatohet ekskluzivisht për qytetarët që jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë, e kjo është popullsia rezidente sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit. Shpresoj se kolegët e VLEN-it do të vetëdijesohen, do t’i kushtojnë më shumë vëmendje leximit të ligjeve ekzistuese dhe do t'i përkushtohen zbatimit të këtyre ligjeve dhe nuk do të merren me çështje ditore politike.”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Përkushtimi themelor i kësaj Qeverie, sipas Minçev është që përkatësia etnike të mos jetë parim për punësim, qëllim për cilin do të punohet.
“Mendoj se ka ardhur koha që në administratë të punësohen njerëz me njohuri dhe cilësi për të pasur një administratë publike, efikase dhe të mirëorganizuar. Por, ky është parimi i dytë, parimi i parë është të kemi ligje cilësore, pikërisht këto që po diskutojmë sot, për të cilat është jashtëzakonisht e rëndësishme të jenë të zbatueshme, të jenë ligje sistematike. Nëse e arrijmë këtë, atëherë mund të diskutojmë fazën e dytë për administrim të mirë dhe cilësor bazuar në njohuri dhe cilësi.”, - theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Minçevi bëri të ditur se ka tërhequr nga procedura parlamentare propozim-ligjin për zyrtarët administrativë, propozim-ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe propozim-ligjin për ngritjen profesionale dhe aftësimin e zyrtarëve administrativë.
Propozim-ligjet do të vendosen në ENER ku të gjithë të interesuarit do të mund të bëjnë komente dhe sugjerime dhe njëkohësisht në dy muajt e ardhshëm do të organizohen debate dhe diskutime publike për to. (Flutura Latifi, TVM2)
