12 fshatra u kapluan nga zjarret, gjendja kritike në Shën Nikollë

30.07.2024 14:54

Rreth 40 shtëpi, në fshatin Malinë...

Rreth 40 shtëpi, në fshatin Malinë, Nemanjcë dhe Orell u shkrumbuan nga zjarri, që përfshiu komunën e Shën Nikollës. Autoritetet e vendit po luftojnë për t’i shuar flakët e mëdha të zjarrit në gjithsej tre fshatra në këtë zonë malore dhe për momentin me stuhitë e mëdha me zjarret ballafaqohen një numër i madh i zjarrfikësve, vullnetarëve, popullata lokale dhe ushtria, ndërsa në shuarjen e zjarreve janë kyçur edhe helikopterë dhe aeroplanë të cilët vazhdimisht hedhin sasi të mëdha të ujit mbi këto vatra.

Nga gjithsej 40 vatra aktive, 12 zjarre janë regjistruar drejtpërsëdrejti nëpër fshatrat e komunës së Kumanovës, Velesit, Shtipit, Negotinës dhe Kavadarit. Dëme të mëdha në prona dhe bagëti regjistrohen në këto fshatra. Banorët në ankth, frikë dhe të trishtuar dëshmojnë për pamjet apokalips të stuhive të mëdha me të cilën janë ballafaquar mbrëmë.

“Unë jam 70 vjeç dhe deri tani nuk kam parë zjarre të mëdha. Nuk mund të përshkruaj se çfarë zjarri i madh kaploi fshatin Nemanjcë. Shikoni, çdo gjë është shkrumbuar përreth. Qielli nuk shihej nga zjarri dhe tymi, për dhjetë minuta u përhap zjarri gjithandej.”, - tha një banor.

“Dëmet janë të mëdha. Rreth 70% të shtëpive janë përfshirë nga këto zjarre në fshatin Nemanjcë, janë dëmtuar fermat e bagëtive, respektivisht mbi 70 krerë gjedhe. Mbrëmë pati këtu luftë me zjarret.”, - tha një banor tjetër.

“Pamjet e djeshme këtu ishin të tmerrshme. Flakët e mëdha të zjarrit nga lartë shumë shpejt u përhapen poshtë. Ne tentuam të shuajmë zjarrin, mirëpo kot, kur zjarri u përhap në ahurin tonë të bagëtive ishte e pamundur për ta shuar. Thjesht ne u larguam nga këtu.”, - u shpreh një   banor.

Fatkeqësisht, zjarret morën edhe viktimën e parë për këtë vit. Një person është mbytur nga tymi në fshatin Kokoshinjë të Kumanovës, ndërsa bashkëshortja e të ndjerit është evakuuar me kohë dhe tani është në gjendje të mirë. Në rajonin e Kumanovës ka ende disa vatra aktive.

“Në disa vende të fshatit Kokoshinjë vatrat janë ende aktive. Për shkak të terrenit të papërshtatshëm, ekipet e zjarrfikësve e kanë të pamundur t’i afrohen këtyre zjarreve dhe të intervenojnë mbi këto vatra përmes vijës së këmbësorisë.”, - theksoi shefi i ekipit të zjarrfikësve, Kumanovë, Dejan Ilievski.

Drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov, thotë se situata është alarmante dhe kritike. Një pjesë e banorëve kanë filluar të evakuohen nga pronat e tyre, ndërsa pjesa tjetër refuzon për t’u shpërngulur. Autoritetet u bëjnë thirrje për evakuim sa më parë, pasi jeta e tyre është vënë nën rrezik të madh.

“U bëj thirrje të gjithë pronarëve të pronave në zonat malore apo fshatrave të braktisura të cilët kanë vikend-shtëpiza të bëjnë një rreth mbrojtës kundër zjarrit rreth pronave të tyre. Njëherit u bëj thirrje të gjithë banorëve të fshatrave që mund të kaplohen nga zjarri të bëjnë po ashtu rreth mbrojtës kundër zjarrit përreth fshatrave, në gjerësi prej 10 deri më 15 metra. Në këtë mënyrë do të mbrohen të gjitha fshatrat. Ne nuk mund të parashikojmë ku do të jetë vatra e ardhshme e zjarrit, pasi që era na krijon probleme shtesë dhe parashikimet e motit janë se ajo do të vazhdojë të fryjë me të njëjtin intensitet.”, - theksoi drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov.

Prona të dëmtuara ka edhe në komunën e Negoriçanit të Vjetër. Fshatrat të cilët u përfshin në këto zjarre për momentin janë pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Ekipet janë duke punuar në sanimin e defekteve të rrjetit energjetik dhe ujësjellës, ndërsa ekipet e përbashkëta do të vazhdojnë të përcjellin situatën në terren. (Rexhep Qamili, TVM2)