VMRO-DPMNE: Qeveria e kaluar ka bërë keqpërdorime financiare

30.07.2024 15:21

VMRO-DPMNE-ja akuzon qeverinë e kaluar...

VMRO-DPMNE-ja akuzon qeverinë e kaluar për keqpërdorime të parave shtetërore. Nga VMRO-ja thonë se MEPSO-ja gjatë menaxhimit nga LSDM-ja dhe BDI-ja ka shlyer borxhe prej 14 milionë euro kompanive të tregtimit të energjisë elektrike, në mesin e të cilëve është edhe një kompani e djalit të Musa Xhaferit.

“Enti Shtetëror i Revizionit konstaton parregullsi në punën e MEPSO-s, përkatësisht në vitin 2021, disa kompani që shesin energji elektrike i kanë borxh MEPSO-s prej 14 milionë euro. Të gjitha kompanitë janë të afërta me LSDM-në dhe BDI-në, njëra prej tyre, “U Power”, është edhe në pronësi të djalit të Musa Xhaferit. Menaxhmenti i atëhershëm i MEPSO-s fillimisht solli zgjidhje për shlyerjen e borxhit me këste, e më pas e ka shlyer gjithë borxhin. LSDM-ja dhe BDI-ja përdor MEPSO-n dhe EMV-në për të bërë biznes me vlerë miliona dollarë.”.

Gjithashtu partia në pushtet hodhi akuza edhe për atë se nëpërmjet Lotarisë në mënyrë ilegale u janë dhënë licenca dy kompanive të lojërave të fatit, të cilat nuk kanë paguar tatime ndaj shtetit.

“Lotaria pa licencë lëshon licenca për dy kompani të afërta me LSDM-në dhe BDI-në, për një kompani nga Shkupi dhe një nga Strumica dhe me vite këto dy kompani i kanë borxh shtetit për punën e tyre joligjore. Për xhepin e kujt punonin dhe kush i mbulonte janë pyetje që LSDM-ja dhe BDI-ja duhet t'i përgjigjen opinionit?”, - theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.

Të dy kompanitë nuk kanë paguar asnjë tarifë në bazë të disa ligjeve gjatë një periudhe disavjeçare, me çka e kanë dëmtuar shtetin, thonë nga VMRO-DPMNE-ja. (Ersan Pajaziti, TVM2)