Maqedoni
Komisioni për financim dhe buxhet, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve
30.07.2024 16:07
Ka vazhduar shqyrtimi i amendamenteve në Komisionin për financim dhe buxhet i shoqëruar...

Ka vazhduar shqyrtimi i amendamenteve në Komisionin për financim dhe buxhet i shoqëruar me akuza të ndërsjella dhe debat. Në periudhën kur vendi po ballafaqohet me krizë serioze nga zjarret, grupi parlamentar i LSDM-së kërkon paga më të larta për zjarrfikësit, punësime dhe shpërblime për të gjithë atë që marrin pjesë në shuarjen e zjarreve në këto momente.
“Me ribalancin e buxhetit të mundësojmë që të kemi rritje të numrit të të punësuarve zjarrfikës dhe rritjen e pagave, sepse me të vërtetë kemi nevojë serioze. Të gjitha gjërat që po ndodhin tani, zjarret që kapluan vendin kërkojnë përgjigje nga të gjithë ne dhe kjo do të ishte përgjigja më e mirë që do të mund ta japim bashkërisht.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Të gjitha të drejtat e zjarrfikësve që kanë të bëjnë me pagën dhe shtesat në pagë do të respektohen, thekon zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
“Me ligjin e ri për zjarrfikës për të cilin kam informacione se ka një përfundim nga seanca qeveritare, shumë më mirë do të rregullohen këto të drejta. Jo vetëm rritje e pagave të zjarrfikësve, por edhe të drejtave të tjera, të cilat do t’u takojnë në bazë të atij ligji.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Nga VMRO-DPMNE-ja porositin opozitën të mos aktrojë se është e brengosur. Me këtë rebalancë, sipas VMRO-DPMNE-së do të mundësohet servisim të obligimeve ligjore për të lënë hapësirë që vitin e ardhshëm të mendohet për buxhet zhvillimor. Akuzojnë se kasën buxhetore e kanë gjetur në gjendje prej minus 3.6 miliardë denarë, ndërsa në llogarinë devizore 47 milionë euro. I bënë thirrje opozitës që mos të arsyetohen para qytetarëve për politika të dështuara qeverisëse.
“Flasim akoma se ky është buxhet i pakonsoliduar, ky është buxhet me të cilën po bëhet shpëtimi i shtetit që ta mbarojmë këtë vit kalendarik. Ndërsa për vitin e ardhshëm shumë herë është paralajmëruar se do të bëhet dhe bëhen strategji të caktuara afatgjate.”, - u shpreh Beti Stojmenovska Trajkovska nga VMRO-DPMNE.
Si rrjedhojë e Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve grupi parlamentar i LSDM-së kërkon shlyerjen e detyrimeve kontraktuale për 654 kompani.
“Duhet të sigurohen mjete në pajtueshmëri me programet që e rregullojnë mbështetjen financiare të investimeve. Këto kompani që janë lëndë e mbështetjes janë 98% kompani vendore me madhësi të ndryshme sipas kapitalit që punojnë dhe numrin e të punësuarve.”, - theksoi Dimitar Kovaçevski nga LSDM.
Nga pushteti përgjigjen se sa i përket detyrimeve kontraktuale për kompanitë, ato do të paguhen në tërësi ashtu siç është e planifikuar me buxhetin e vitit 2024. Për ribalancin e buxhetit janë dorëzuar për shqyrtim 58 amendamente.
FLORIJE KAMBERI
