Botë
Situatë kritike në Shëngjin, rrezikohen banesa e hotele
30.07.2024 16:53
Zjarret që kanë përfshirë prej 3 ditësh Shëngjinin, kanë krijuar një situatë apokaliptike...

Zjarret që kanë përfshirë prej 3 ditësh Shëngjinin, kanë krijuar një situatë apokaliptike, me flakët që u janë afruar banesave e hoteleve, duke u përhapur me shpejtësi për shkak edhe të erës së fortë. Zjarrfikësit, emergjencat dhe forcat e ushtrisë janë përqendruar në zonën e quajtur Rana e Vogël, për shkak të densitetit të hoteleve dhe banesave që ndodhen në këtë zonë.
Në terren ka zjarrfikëse, forcat e ushtrisë dhe një helikopter i ushtrisë. Janë evakuuar banorë dhe pushues, ndërsa është bllokuar rruga drejt Ranës së Hedhun. Për të ndjekur nga afër operacionin për izolimin e zjarrit, ka mbërritur në vendngjarje edhe Taulant Balla, i cili është në orët e tij të fundit si ministër i Brendshëm.
"Po bëjnë një punë të shkëlqyer me helikopterin, ju nxis të vazhdoni me këtë intensitet për ta përmbyllur me sukses përballjen me këtë situatë tepër të vështirë, e cila vazhdon. Na duhet të administrojmë mirë forcat, sepse e vërteta është që kemi dhe plot zjarre të tjera në zona të caktuar. Kemi sjellë këtu forca nga Berati, nga Fieri, natyrshëm Tirana, Kamza apo bashkitë fqinje me bashkinë e Lezhës dhe na duhet që ta vendosim tërësisht në kontroll gjatë ditës së sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera dhe më të vështira.", - deklaroi ministri i Brendshëm në largim, Taulant Balla.
Lufta me zjarrin vijon pandërprerë pasi rrezikohen edhe banesa, ndërsa tymi ka mbuluar pjesën më të madhe të plazhit. Zjarri po përparon drejt zonës së mbrojtur tek Rana e Hedhun dhe vetëm një ndërhyrje më e madhe nga ajri do të ndihmonte në uljen e intensitetit të flakëve.
LULJETA NDOKA
