Botë

Venezuelë, shpërthen revolta kundër Maduros, opozita pretendon se ka prova për vjedhjen e votave

30.07.2024 17:16

Fitorja e një tjetër mandati 6-vjeçar presidencial nga Nikolas Maduro...

Fitorja e një tjetër mandati 6-vjeçar presidencial nga Nikolas Maduro bëri që në Venezuelë të rikthehen revoltat popullore, duke shpërthyer në protesta të dhunshme. Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës dolën në rrugë për të kërkuar largimin e presidentit majtist, në pushtet prej 11 vitesh, duke e akuzuar atë se ka manipuluar masivisht votat.
 
Grumbullime masive, siç duket edhe në këto pamje pati në zonat qendrore të kryeqytetit Karakas. Manifestuesit u përpoqën të marshojnë drejt pallatit presidencial dhe Parlamentit, por forcat e sigurisë, policia, ushtria dhe militantët vullnetarë pro Maduros qëlluan edhe me armë drejt turmave për t’i ndaluar dhe shpërndarë, duke shkaktuar disa të plagosur.
 
"Është e tmerrshme, rezultati është një mashtrim. Ne fituam me 70 për qind, por ata na bënë të njëjtën gjë përsëri, na morën përsëri zgjedhjet.", - tha një protestues.
 
"Ne duam një të ardhme më të mirë për të rinjtë, sepse nëse jo, ata do të largohen nga vendi. Duam një vend ku mund të punojnë dhe të fitojnë mirë. Ne kemi një vend të pasur dhe Maduro po shkatërron gjithçka.", - tha një protestues tjetër.
 
"Është një mashtrim. Ishte hera e parë që votoja në jetën time. Isha atje nga gjashtë e mëngjesit deri në nëntë në mëngjes dhe pashë shumë njerëz që mobilizoheshin në rrugë. Kishte shumë pakënaqësi ndaj Qeverisë.”, - u shpreh një protestues.
 
Opozita pretendon se ka prova në duar që kandidati i tyre Edmundo Gonzalez Urrutia ka fituar zgjedhjet presidenciale me 73.2% dhe se diktatura majtiste e Maduros, siç e quajnë ata, ka manipuluar masivisht votat.
 
"Ne kurrë nuk kemi pasur prova siç kemi tani në duart tona  dhe për më tepër, kjo është diçka që venezuelasit e dinë përtej asaj nëse faktet ishin aty apo jo. Pra, këtu është një realitet që është vërtetuar dhe i takon Këshillit Kombëtar Zgjedhor të përgjigjet në bazë të asaj që do të bëjmë publike, në mënyrë që të gjithë venezuelasit të kenë akses dhe të vërtetojnë veten e tyre.”, - theksoi përfaqësuesja e opozitës, Maria Korina Maçado. 
 
Ndërkohë presidenti Nikolas Maduro pretendon se mandatin e tretë presidencial e siguroi me 51% të votave dhe tha se është mësuar me revoltat e nxitura nga perëndimi, të cilat, siç tha di tashmë si t’i mposhtë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU