Botë

Konflikti Izrael – Liban, Austin: Lufta mund të përshkallëzohet

30.07.2024 17:39

Konflikti midis Izraelit dhe Libanit mund të përshkallëzohet...

Konflikti midis Izraelit dhe Libanit mund të përshkallëzohet, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llojd Austin, por ai nuk beson se një luftë ishte e pashmangshme edhe pse mbetet i shqetësuar për potencialin për përshkallëzim pas një sulmi vdekjeprurës rakete në zonat e lartësisë së Golanit, të pushtuara nga Izraeli. 
 
"Ndërsa ne kemi parë shumë aktivitete në kufirin verior të Izraelit, ne mbetemi të shqetësuar për potencialin që kjo të përshkallëzohet në një luftë të plotë. Dhe unë nuk besoj se një luftë është e pashmangshme. Ne do të donim t'i shihnim gjërat të zgjidheshin në një mënyrë diplomatike.", - deklaroi sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Llojd Austin.
 
Pas sulmit në lartësinë e Golanit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, është zotuar për përgjigje “të ashpër”, teksa diplomatët po bëjnë përpjekje për të shmangur një përshkallëzim tensionesh mes Izraelit dhe Hezbollahut.
 
“Shteti i Izraelit nuk mund të lejojë kalimin e kësaj. Përgjigjja jonë do të vijë dhe do të jetë shumë e ashpër.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr një përpjekje diplomatike për të penguar Izraelin që të godasë kryeqytetin e Libanit, Bejrut ose infrastrukturën kryesore civile në përgjigje të sulmit. Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib, ka thënë se po bën përpjekje diplomatike për të zvogëluar përgjigjen e pritur izraelite.
 
Shumë vende anëtare të BE-së kanë deklaruar se bëjnë përpjekje që të shmangin një përshkallëzim të situatës. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU