Maqedoni
Komiteti i Helsinkit: Shqetësuese rritja e gjuhës së urrejtjes në media
20.04.2015 13:49
Etiketimet e njerëzve të caktuar, paraqitjet publike të individëve apo grupeve të caktuara janë shtuar, sidomos në këtë periudhë...

Etiketimet e njerëzve të caktuar, paraqitjet publike të individëve apo grupeve të caktuara janë shtuar, sidomos në këtë periudhë kur është aktuale afera e përgjimeve, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit për punën e mediave gjatë muajit mars.
Pas publikimit të aferës së përgjimeve masive nga ana e opozitës, Komiteti i Helsinkit vëren rritje të gjuhës së urrejtjes ndaj anëtarëve të shoqatave qytetare dhe të aktivistëve të partive politike të cilët çdo ditë përballen me një kampanjë agresive, duke u etiketuar si tradhtarë, komunjarë, sorosoidë etj.
Kjo, sipas Komitetit të Helsinkit, bëhet me qëllim të imponimit të percepsionit se të njëjtët punojnë kundër interesave shtetërore.
“Shqetësuese janë sidomos keqpërdorimi i mediave nga individë dhe lëvizje qytetare, të cilët përmes mediave nxisin urrejtje ndaj individëve apo grupeve të tjera që nuk mendojnë njësoj për punën e qeverisë dhe partive qeverisëse”- thuhet në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit për mediat.
Komiteti i Helsinkit shpreh shqetësim edhe për thirrjet për dhunë nga ana e fytyrave publike që deklarohen si gazetarë, si dhe për përdorimin e rrjeteve sociale dhe mediave, për qërim hesapesh me ata që nuk mendojnë njësoj me ta.
“Komiteti i Helsinkit fton institucionet përgjegjëse të marrin masa dhe të distancohen nga kjo dukuri, në të kundërtën do të vlerësojnë se jeni pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në krijimin e atmosferës së frikës dhe se i miratoni veprimet e tilla”- thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit.
ERSAN PAJAZITI
