Disa zjarre aktive në RMV, Angellov: Situata e rëndë, por jo alarmante
Autoritetet e vendit vazhdojnë të “luftojnë” me stuhitë e mëdha...

Autoritetet e vendit vazhdojnë të “luftojnë” me stuhitë e mëdha me zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit është regjistruar numër rekord zjarresh.
Prej gjithsej 66 vatra zjarresh aktive, 51 prej tyre janë shuar tërësisht, tre janë duke u mbajtur nën kontroll të pjesërishëm, ndërsa 12 të tjera rezultojnë të jenë aktive edhe gjatë ditës së mërkurë.
Këto zjarre janë aktive në disa zona malore të pjesës lindore të vendit, madje kanë përfshirë edhe disa deponi. Situata më e rëndë me zjarret paraqitet në Pehçevë, ku edhe pse këto vatra janë vënë përkohësisht nën kontroll, paraqet rrezik për t’u rindezur përsëri. Zjarre serioze ka po ashtu në Nagoriçan të Vjetër, Kratovë, Makedonski Brod, Shën Nikollë dhe Kumanovë.
Ekipet e përbashkëta me ndihmën e helikopterëve dhe aeroplanëve po punojnë për t’i shuar tërësisht zjarret.
“Mbrëmë kontribuuam dhe shpëtuam aq sa mundeshim. Stuhitë e zjarreve ishin shumë të mëdha. Gjatë mbrëmjes së kaluar ekipet tona të përbashkëta ishin vazhdimisht prezent në terren, për të parandaluar të ndodhë ndonjë katastrofë më e madhe. Sot jemi koordinuar dhe punët shkojnë më mirë dhe morëm ndihmë nga ajri. Arritën helikopterë të ri të cilat parandaluan vatrat më të mëdha të përhapen më shumë, mirëpo na u paraqit problem tjetër, duke shpërthyer zjarre të reja në disa pjesë të ndryshme të komunës sonë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Pehçevës, Aleksandar Kitanovski.
“Shumë situatë e rëndë dhe kritike ishte mbrëmë në fshatin Orel, ku përsëri u rindezën me intensitet të madh vatrat. U dogjën disa shtëpi, ndërsa një ekip i zjarrfikësve u lëndua në terren, por fatmirësisht ata janë shëndosh e mirë. Sot situata më kritike ndodhet mes fshatrave Patetinë dhe Rançancë, ku ekipet tona të përbashkëta janë duke punuar në terren dhe shpresojmë se gjatë ditës së sotme të gjitha këto do t’i vëmë nën kontroll.”, - deklaroi kryetari i komunës së Shën Nikollës, Dejan Vladev.
Drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov, thotë se situata në terren është e rëndë, por jo edhe alarmante. U kërkoi qytetarëve të mos shkaktojnë panik dhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve vetëm kur do t’u kërkohet ndihmë. Angellovi bind se në gatishmëri të plotë janë një numër i madh i ekipeve të përbashkëta të cilët në çdo moment mund të përfshihen për t’i shuar zjarret.
“Zjarret të cilat janë më serioze dhe paraqesin rrezik të madh për t’u shpërndarë janë zjarri në Pehçevë, ku kemi një numër të madh të pjesëtarëve në terren dhe ku kryetari i kësaj komune e mban situatën nën kontroll, zjarri në komunën e Nagoriçan të Vjetër ku vatrat po afrohen në drejtim të fshatrave Mallotinjë dhe Zheglanjë, zjarri në komunën e Kratovës përreth fshatit Tatumir, si dhe zjarret në fshatin Tazhevë dhe Breznicë në Makedonski Brod dhe në Shën Nikollë, të cilët po afrohen në anën tjetër të Koçanit. Po ashtu zjarre aktive ka edhe Kokoshinjë të Kumanovës.”, - theksoi drejtori i QMK-së, Stojanço Angellov.
Për shkak të situatës së përkeqësuar me zjarret në vend, përsëri është aktivizuar mekanizmi i BE-së për mbrojtje dhe shpëtim dhe është kërkuar ndihmë në aeroplanë.
Gjatë ditës së sotme tre helikopterë nga Serbia do të kyçen në shuarjen e zjarreve masive në vend, informojnë nga QMK-ja. (Rexhep Qamili, TVM2)
