VLEN-i dhe Lëvizja “E di”, mospajtime rreth balancuesit

31.07.2024 14:21

Vazhdojnë mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar VLEN...

Vazhdojnë mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar VLEN dhe Lëvizjes “E di”, në lidhje me balancuesin.

Nga VLEN-i bënë thirrje deri te kreu i Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski dhe ministrit të Administratës, Goran Minçev, që të dalë nga retorika e fushatës zgjedhore, duke shtuar se pesha e këtij subjekti politik në Qeveri është minore.

“Do të shfrytëzoj rastin t’u them edhe Dimitrievskit edhe Minçevit që të dalin prej fushatës, nuk jemi në fushatë. Le të veprojnë si qeveritarë, le të veprojnë si ekzekutiv dhe mos të shfrytëzojnë rastin për ndarësi dhe pika politike, për arsye se fundi fundit nuk janë ndonjë faktor në këtë Qeveri.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Fari Hiseni.

Nga ana tjetër, ministri i Administratës, Goran Minçev, i cili vjen nga Lëvizja “E di”, thotë se nuk heq dorë nga vendimi për uljen e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve në administratë nga 29.52%, në 24.30%.

Minçevi thotë se vetëm po e respekton ligjin dhe se çdo koment nga partneri i koalicionit VLEN është i pabazë.

“Në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik qartë qëndron se balancuesi është posaçërisht për banorët, qytetarët që janë në territorin e Republikës së Maqedonisë, kjo është popullata rezidente. Unë si ministër heq dorë nga respektimi i ligjit në atë formë që tani janë shkruar, kështu që në këtë kontekst, ne si ministra duhet t’i respektojmë ligjet dhe çfarëdo komenti nga kolegët e VLEN-it është i pabazë, shpresoj që edhe qëllimi i tyre është që të respektohen ligjet.”, - theksoi ministri i Administratës, Goran Minçev.

Ditë më parë kryeministri Mickoski tha se mospajtimet brenda një koalicioni janë krejt të natyrshme, por që sipas tij e rëndësishme është që në mënyrë demokratike dhe me dialog këto mospajtime të tejkalohen. (Ersan Pajaziti, TVM2)