O’Brajan: RMV-ja po vuan nga mospajtimet me fqinjët

31.07.2024 14:52

Maqedonia e Veriut vuan për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët...

Maqedonia e Veriut vuan për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, gjë që paraqet një nga problemet për anëtarësim në BE dhe ndikon vazhdimisht në ndryshimin e kushteve.

Kështu ka deklaruar ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Xhejms O’Brajan, në një seancë dëgjimore për të ardhmen e Evropës në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit.

Në pyetjen e senatorit demokrat Xheni Shaheen, se çfarë mund të bëjë më shumë ShBA-ja për të inkurajuar evropianët që të përmbushin premtimet e tyre ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë bërë reformat e kërkuara, pa ndryshuar rregullat ose kushtet për lëvizjen e tyre në BE, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut, O’Brajan me përgjigje:

“Maqedonia e Veriut po vuan për shkak të mospajtimeve me fqinjët, që është një nga problemet për anëtarësim në BE dhe ndikon në ndryshimin e vazhdueshëm të kushteve. Pjesë e punës sonë diplomatike është të gjejmë rrugën për të mbajtur marrëveshjen me Greqinë. Njëjtë është edhe me Shqipërinë, por çështja kryesore është marrëveshja që Maqedonia e Veriut e ka me Bullgarinë dhe sapo Bullgaria të ketë qeveri më stabile, do të duhet të ketë bisedime për mënyrën kyçe si të implementohet. Kjo është fusha në të cilën pres të jemi edhe ne shumë aktiv.”, - deklaroi ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms O’Brajan.

Bullgaria thotë se nuk do të lejojë devijime nga marrëveshjet e arritura, pjesë e së cilës është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Por, kryeministri Hristijan Mickoski ka thënë se nuk do të negociojë me diktat dhe ultimatume dhe se Bullgaria duhet të respektojë të drejtat e komunitetit maqedonas, për shkeljen e të cilave ka 14 aktgjykime nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. (Gyltene Sinani, TVM2)