Ideja për një akademi shqiptare për shkencë, VLEN: Të bëhemi bashkë për këtë projekt

31.07.2024 15:15

Koalicioni VLEN sërish me sqarim për opinionin...

Koalicioni VLEN sërish me sqarim për opinionin dhe strukturat e caktuara politike mbi idenë për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut.

Nga ky subjekt thonë se ky institucion ka për qëllim që të shërbejë si një qendër akademike dhe kulturore, e që synon të promovojë dhe zhvillojë dijen  dhe krijimtarinë në gjuhën dhe traditën shqiptare, duke kontribuar njëkohësisht edhe në pasurimin e mozaikut multikulturor.

“Koalicioni VLEN dëshiron të bëjë me dije se Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoni të Veriut, nuk duhet të shihet si një kundërvënie ose paralelizëm ndaj Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Përkundrazi, ne e shohim këtë iniciativë si një mundësi për bashkëpunim dhe sinergji  mes dy akademive, duke promovuar shkëmbimin e ideve dhe përvojave dhe duke kontribuar në përparimin e shkencës dhe artit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.”, - deklaroi Fari Hiseni nga VLEN.

Mickoski: Folklor dhe manovrim politik

Por, kryeministri Hristijan Mickoski e quan folklor edhe manovrim politik idenë e partnerëve të koalicionit për Akademinë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut.

“Institucioni i vetëm që e grumbullon mendimin shkencor dhe shkencëtarët e bashkësive të ndryshme etnike në Maqedoni është Akademia Maqedonase e Shkencës dhe këtu fillon dhe përfundon gjithçka. Çfarëdo tjetër është folklor dhe ndoshta manovrim politik. Unë mendoj se duhet të vazhdojmë të funksionojmë me institucione ku gjenerohet dituri. Ku shkenca është para së gjithash. Nuk ekzistojnë institucione etnike shkencore, nuk ka një shembull të tillë në botë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Por, nga koalicioni VLEN ftojnë që kjo nismë të gjejë mbështetje dhe të krijohen  kushte për dialog konstruktiv. Ftesën e dërgon edhe në adresën e “Frontit Evropian”, që kryetarët e komunave nga ky koalicion ta mbështesin  idenë për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)